Kanë kaluar 13 vjet që nga përfundimi i aventurës së parë të José Mourinhos te Real Madridi, por trajneri portugez rikthehet sërish në rrugën e Barcelonës, duke ndezur atmosferën para ‘El Clásico’-s të së dielës.
Gjatë periudhës së tij të parë në Madrid, Mourinho fitoi një Kupë të Mbretit, një titull të LaLiga-s dhe një Superkupë të Spanjës. Ndërkohë, Barcelona fitoi dy tituj kampionë, një Champions League, dy Superkupa të Spanjës, një Kupë të Mbretit, një Superkupë të Evropës dhe një Botëror për Klube. Ajo periudhë solli më shumë armiqësi sesa futboll mes gjigantëve spanjollë.
Edhe këtë herë, sipas një analize të ‘El Mundo Deportivo’-s, Mourinho ka nisur prej javësh të rrisë tensionet përpara përballjes me Barcelonën, duke ndërtuar një narrativë viktimizimi dhe duke përdorur deklarata provokuese. Kjo sjellje nuk është e re për trajnerin portugez.
Përplasjet e tij me Barcelonën nisën që në kohën kur drejtonte Chelsea-n. Në çerekfinalet e Champions League-s në sezonin 2004-2005, pas fitores 2-1 të Barcelonës në ndeshjen e parë, Mourinho akuzoi trajnerin Frank Rijkaard se kishte shkuar në dhomën e gjyqtarit Anders Frisk për ta intimiduar. Në ndeshjen e kthimit, Chelsea u kualifikua mes polemikash, pas një goli të John Terry-t që u shoqërua me pretendime për faull ndaj portierit Víctor Valdés.
Një vit më vonë, pas ndërhyrjeve të ashpra të Asier del Horno-s ndaj Lionel Messit, që përfunduan me karton të kuq për mbrojtësin, Mourinho e akuzoi argjentinasin se po bënte “teatër të nivelit të lartë”.
Tensionet vazhduan edhe kur Mourinho drejtonte Interin. Në gjysmëfinalen e Champions League-s kundër Barcelonës, ai protestoi ndaj arbitrimit në ndeshjen e parë, ndërsa pas kualifikimit të Interit festoi në mënyrë të ekzagjeruar në “Camp Nou”, ku Barcelona aktivizoi edhe spërkatësit e ujit në fushë.
Megjithatë, periudha më e tensionuar ishte ajo mes viteve 2010 dhe 2013, kur Mourinho drejtonte Real Madridin. Ai akuzoi vazhdimisht gjyqtarët se favorizonin Barcelonën dhe kritikoi Pep Guardiolën, duke deklaruar se do t’i vinte turp të fitonte në mënyrën e tij.
Ndër episodet më të kritikuara mbeten pritja e gjyqtarit në tunelin e “Camp Nou”-t dhe momenti kur Mourinho i futi gishtin në sy ndihmësit të Guardiolës, Tito Vilanova.
Artikulli kujton gjithashtu ndërhyrjet e ashpra të disa lojtarëve të Real Madridit ndaj Messit, përfshirë Sergio Ramosin, Xabi Alonson, Ricardon Carvalhon, Álvaro Arbeloan, Marcelon dhe Pepen.
Tani, përpara një tjetër ‘El Clásico’, Mourinho ka nisur sërish të krijojë polemika, ndërsa trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, pritet të ketë një detyrë shtesë: të shmangë reagimet ndaj provokimeve të portugezit.
© SYRI.net
Konfederata aziatike mbështet Infantinon për një mandat të ri në krye të FIFA-s
Muslera hero, Jorginho gabon penalltinë, Estudiantes eliminon Flamengon dhe shkon në finalen e Libertadores
VIDEO/ Capello kritikon ashpër portierin Maignan: Ky gabim është i papranueshëmBëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: