Dëmet materiale të shkaktuara në bizneset e prekura nga protestat e zhvilluara javën e fundit në Tiranë vlerësohen në rreth 2.15 milionë euro. Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT), deri më tani janë identifikuar 127 subjekte tregtare që kanë raportuar ose janë konstatuar dëmtime.

Procesi i evidentimit të dëmtimeve po kryhet në dy mënyra: përmes verifikimeve të drejtpërdrejta në terren nga grupet e administratës tatimore dhe nëpërmjet vetëdeklarimeve të bizneseve në platformën e-Albania.

Nga bilanci i deritanishëm janë identifikuar 55 biznese, ndërsa 72 të tjera kanë raportuar dëmet përmes shërbimit elektronik “Dëmi im”, të vënë në dispozicion në portalin e-Albania.

Për të siguruar një pasqyrë sa më reale të dëmeve në strukturat tregtare, Administrata Tatimore ka angazhuar 10 grupe inspektimi që vijojnë punën pa ndërprerje në zonat më të prekura të kryeqytetit. Përmes një njoftimi zyrtar, DPT konfirmon se “vijon pa ndërprerje procesi i evidentimit dhe vlerësimit të dëmeve të shkaktuara në biznese” dhe se po shqyrtohen paralelisht të gjitha raportimet digjitale me qëllim saktësimin e të dhënave.

Institucioni u ka bërë thirrje të gjithë bizneseve të dëmtuara që të vazhdojnë të përdorin platformën elektronike për të kontribuar në dokumentimin e plotë të pasojave ekonomike. 

"Vijon pa ndërprerje procesi i evidentimit dhe vlerësimit të dëmeve të shkaktuara në biznese. Administrata Tatimore po kryen verifikime në terren si dhe po shqyrton raportimet përmes shërbimit “Dëmi im”, me qëllim përditësimin dhe saktësimin e të dhënave. Procesi vijon me transparencë dhe përgjegjshmëri në mbështetje të bizneseve të prekura",thuhet në njoftim.

55 subjekte të evidentuara nga verifikimet në terren
72 subjekte nga raportimet përmes shërbimit “Dëmi im”
Vlera e dëmeve: 2. 15 milionë euro
Administrata Tatimore vijon procesin e evidentimit dhe vlerësimit të dëmeve.
Përdorni shërbimin e dedikuar “Dëmi im” në portalin e-Albania për të raportuar dëmet e shkaktuara në njësinë tuaj tregtare.

Foto e postuar nga tatimet në Facebook