Lajmi i fundit

LIVE/ Kërkojnë dorëheqjen e Ramës, edhe studentët e mjekësisë marshim drejt Kryeministrisë

'Miliona euro për reformën në Polici, dhunë ndaj studentëve', Kepi: Rama dështon në standardet europiane

10:01, 23/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

E ftuar në një lidhje Skype në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV, gazetarja Alba Kepi akuzoi kryeministrin Edi Rama për propagandë lidhur me protestat, duke kundërshtuar deklaratat e tij për numrin e policëve dhe protestuesve të plagosur.

 Kepi krahasoi reagimin e policisë shqiptare me atë italiane në Milano, Torino dhe Bolonja, duke theksuar se në Tiranë u pa dhunë e tepruar ndaj të rinjve dhe mungesë përgatitjeje në menaxhimin e protestave.

“Policia nuk është në lartësinë e një vendi me sistem demokratik, nuk është në lartësinë e një vendi europian”, u shpreh Kepi, duke vënë në pikëpyetje rezultatet e reformës në Polici, pavarësisht miliona eurove të investuara dhe pretendimeve të qeverisë për përmbushjen e standardeve europiane.

Pjesë nga intervista:

E shoh si diçka që ai di të bëjë më mirë, pra jo vetëm propagandë, por edhe gënjeshtra, pasi, nëse dje ka deklaruar se në Tiranë janë shënuar më shumë agjentë policie të plagosur dhe më pak nga ana e forcave të manifestuesve, asgjë nuk është e vërtetë në krahasim me atë që ka ndodhur gjatë këtyre ditëve në Milano, Torino dhe Bolonja.

Ne kemi në Milano rreth 179 agjentë policie të plagosur dhe vetëm manifestues të moshës 18-20 vjeç të plagosur, dhe vetëm 2 nga mosha 17-18 vjeç.

Po ashtu, në Torino kemi vetëm 3 manifestues të plagosur, gjithmonë të rinj.

Në Bolonja kemi rreth 79 agjentë policie të plagosur. Pra, gjithçka që ai ka thënë dje është absolutisht gënjeshtër, pasi situata në Milano, Torino dhe Bolonja është krejt ndryshe sa u takon statistikave, të dhënave mbi numrin e personave të plagosur. Pra, edhe nga ana e videove dhe imazheve kemi parë nga ana e policisë italiane një strategji dhe mënyrë qasjeje me të rinjtë krejtësisht ndryshe nga ajo dhunë barbare që kemi parë në Tiranë.

Pra, çka ndodhi u shfaq e qartë, që ato miliona euro të investuara apo të dhëna për të reformuar Policinë e Shtetit në Shqipëri, apo të trumbetuara në çdo panel të konferencave kombëtare dhe institucioneve europiane, se po kryhen reformat, çfarë ndodhi në këto 10 ditë proteste? Shfaqi hapur faktin se policia nuk është në lartësinë e një vendi me një sistem demokratik, nuk është në lartësinë e një vendi europian që ka synimin dhe aspiratën të jetë pjesë e Bashkimit Europian.

Pamë një polici të hallakatur, si nga ana strategjike, ashtu edhe nga mungesa e përgatitjes psikologjike për t'u qasur me situata kritike dhe për të pasur një përgatitje dhe një mënyrë se si të përdorin forcën apo të përdorin instrumentet që u ka dhënë ligji ndaj personave, si të rinj, ashtu edhe minorenë.

Krejt ndryshe situata në Milano, Torino, Bolonja. E kemi parë pa dyshim përplasjen e forcave të rendit dhe të rinjve, por ka qenë një përplasje që ka çuar në neutralizimin e personave që, për forcat e rendit, shfaqeshin se janë të dhunshëm dhe po bënin ato akte të cilat ishin të papranueshme në ato momente të manifestimit, por absolutisht jo goditje me plumba gome, dhunë të tillë të jashtëzakonshme dhe, mbi të gjitha, në ato pjesë të trupit ku e ndalon ligji.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco