
Reperi Capital T ka shprehur mbështetjen e tij për protestat studentore në Shqipëri, përmes një videomesazhi ku dënon dhunën dhe thekson se mirëqenia e njerëzve të tij është mbi çdo angazhim profesional.
Reagimi i artistit vjen pak ditë pasi ai zhvilloi një bisedë telefonike me një efektiv policie nga Shqipëria, i cili i kërkoi të paraqitej pas kthimit të tij nga Shtetet e Bashkuara.
Në mesazhin e tij, Capital T shprehet se pamjet e dhunës e kanë prekur thellësisht dhe se nuk mund të vazhdojë aktivitetin muzikor sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
“Qysh po mendojnë që me i pa ato skena të ndodhura dhe të mos reagoj? Normal që kam me reagu dhe absolutisht jam në suport të studentëve dhe njerëzve të mi për çdo kauzë që ka të bëjë me të drejtat e tyre. Na dhemb zemra ta shikojmë Shqipërinë në këtë lloj gjendje dhe njerëzit e mi që mua më kanë përkrahur e ma kanë dhënë këtë dashuri”, shprehet reperi.
Ai thekson se mbështetja e tij nuk lidhet me ndonjë interes personal, por me bindjen se asgjë nuk është më e rëndësishme se mirëqenia e popullit.
“Nuk kam kurrfarë llogarie të bërë kur vjen puna për këta njerëz, nuk ekziston asgjë më e madhe sesa mirëqenia e popullit tim. S’mund as me bo muzikë, as me publiku këngë, as me bo koncerte derisa unë shoh ato skena dhe normal që do reagoj. Nuk ka kurrgjë që mundet me më nda”, deklaron Capital T.
Në përfundim të mesazhit, artisti shpreh shpresën që kërkesat e studentëve të dëgjohen dhe dhuna të marrë fund. Ai nënvizon se nuk kërkon falënderime apo vëmendje publike për qëndrimin e tij, por e konsideron reagimin ndaj padrejtësive si një përgjegjësi.
“Uroj që zëri i studentëve do të dëgjohet, uroj që të ndërpritet kjo dhunë e shkatërrim dhe dijeni që mua më keni përkrah. Unë e kam treguar në shumë etapa dhe nuk dua falënderim dhe as protagonizëm. Unë jam thjesht një prej jush dhe për këto gjëra do të jem aty, për çdo padrejtësi”, përfundon reperi.