Policia e Vlorës ka zbardhur djegien e një automjeti më 22 shtator, ngjarje e cila fillimisht u dyshua si aksidentale për shkak të një defekti teknik.
Në kuadër të operacionit të koduar “Order”, janë arrestuar dy persona, njëri i dyshuar si porositës dhe tjetri si autor i djegies së automjetit.
Njoftimi i Policise
Vlorë/Finalizohet operacioni i koduar “Order”, zbardhet djegia e një automjeti, një muaj më parë, e dyshuar fillimisht si ngjarje aksidentale.
Identifikohen dhe arrestohen 2 shtetas, njëri i dyshuar si porositës dhe tjetri si autor i djegies së automjetit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të veprimeve hetimore të kryra në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 22.09.2026, rreth orës 01:20, në lagjen “1 Maji”, Vlorë, ku u dogj automjeti në pronësi të shtetases S. N., organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Order”.
Fillimisht, ngjarja u raportua si aksidentale për shkak të një defekti teknik në motorin e automjetit, por nga veprimet intensive hetimore u zbulua se automjeti ishte djegur qëllimisht.
Në kuadër të operacionit u arrestuan shtetasit R. K., 33 vjeç dhe T. K., 36 vjeç, të banues në Vlorë, pasi dyshohet se shtetasi R. K. ka porositur shtetasin T. K., për djegien e automjetit në pronësi të shtetases S. N., 50 vjeçe, banuese në Vlorë.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, kryer në bashkëpunim.
