AI po u kursen kohë punonjësve, por a po e përdorin kompanitë siç duhet?

Punonjësit që u nxitën ta përdornin inteligjencën artificiale (IA) për të hequr dorë nga detyrat monotone, e përdorën teknologjinë 58% më shumë dhe eksperimentuan me të 70% më shumë se kolegët e orientuar vetëm drejt shpejtësisë.
Ky është përfundimi i një studimi të ri, të cituar nga Forbes, që tregon se përfitimi i AI-së varet jo vetëm nga mjeti, por edhe nga mënyra si drejtuesit e organizojnë punën.
Studiues nga Stanford, Universiteti i Virxhinias dhe Dartmouth analizuan dy divizione të së njëjtës firmë ligjore, me numër të ngjashëm punonjësish, pagesa dhe mundësi karriere të njëjta.
Të dyja morën akses në të njëjtin mjet IA për hartimin e kontratave. Në njërin divizion, drejtuesi kërkoi përfundimin më të shpejtë të dokumenteve. Në tjetrin, pyeti punonjësit cilat detyra i lodhnin dhe me çfarë do të donin të merreshin po të kishin më shumë kohë.
Gjatë gati dy viteve, grupi i dytë nuk u kufizua në përshpejtimin e punës ekzistuese.
Punonjësit përdorën IA-në për kërkime ligjore dhe analizë çështjesh, shkëmbyen njohuri dhe kërkuan të përfshiheshin në takimet strategjike me avokatët. Ndërsa grupi i parë e përjetonte teknologjinë më shumë si instrument për rritjen e ritmit të punës.
Studimi përfshiu edhe intervista me 184 punonjës nga një firmë ligjore, një agjenci reklame dhe një kompani shërbimesh IT. Ata që nxiteshin vetëm të punonin më shpejt raportonin më pak kuptim në punë dhe më pak motivim për të mësuar.
Por ndryshimi nuk qëndronte vetëm te pyetjet. Drejtuesi i grupit të dytë kishte organizuar trajnime, takime javore për shkëmbim përvojash, mentorim dhe kohë të posaçme për eksperimentim.
Studiuesit theksojnë se nuk mund të ndahet ndikimi i mesazhit nga mbështetja konkrete. Pa këtë mbështetje, premtimi për punë më interesante mbetet retorikë.
Sipas autorit të Forbes, John Winsor, drejtuesit duhet t’u bëjnë punonjësve tri pyetje: Nga cilat detyra dëshironi të çliroheni? Me çfarë pune dëshironi të merreni më shumë? Cilat detyra duhet të vazhdoni t’i kontrolloni vetë?
Përgjigjet ndryshojnë sipas profesionit. Në disa role, detyrat mund të ndahen e riorganizohen lehtësisht.
Në të tjera, si shitjet, kërkimi, marrëdhënia me klientin dhe mbyllja e marrëveshjes janë të lidhura ngushtë, ndaj AI duhet të mbështesë punonjësin, jo ta zëvendësojë në drejtimin e procesit.
Kjo qasje kërkon edhe ndryshim në vlerësimin e performancës. Punonjësit që merren me çështje më komplekse mund të trajtojnë më pak dosje, por të krijojnë më shumë vlerë. Matja vetëm e volumit të punës, ose e shpeshtësisë së përdorimit të AI-së, rrezikon t’i ndëshkojë pikërisht ata.
Sfida për kompanitë nuk është vetëm sa orë kursen AI, por kush vendos si do të përdoren ato. Nëse koha e liruar mbushet sërish me të njëjtat detyra, teknologjia rrit prodhimin, por humbet një pjesë të potencialit për të përmirësuar punën. / Forbes
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









