Kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Skënder Kovaçi, doli në mbështetje të protestës studentore, duke akuzuar autoritetet për dhunë ndaj të rinjve dhe duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të saj.
Kovaçi deklaroi se pedagogët do të jenë në krah të studentëve deri në fund, duke mbështetur kërkesat e tyre dhe protestën e paralajmëruar për nesër në orën 14:00.
Ai i bëri thirrje pedagogëve të mos zhvillojnë mësim me grupe të vogla studentësh, ndërsa theksoi se orët e humbura do të zëvendësohen.
Deklarata e plotë:
Të nderuar studentë të protestës, të nderuar pedagogë, mblidhemi edhe sot për të dhënë përkrahjen tonë të plotë protestës studentore dhe protestës qytetare të nxënësve dhe studentëve, gjithashtu për të ritheksuar që profesorati doli në mbështetje të kërkesave të tyre kundër dhunës së autoriteteve, pasi, siç jeni në dijeni, këto 7 ditë forcat e rendit dhe grupe që nuk dihet se çfarë forcash janë kanë ushtruar një lloj terrori mbi rininë shqiptare, protestuesit, mbi nxënësit dhe studentët, saqë do ta kishte zili dhe Garda Republikane iraniane, krahasuar me veprimtarinë e tyre me protestat në Iran.
Kështu që, në këtë prizëm, e pamë si përgjegjësi qytetare që t'u dalim zot studentëve dhe t'u themi ndal dhunës së policisë.
Nga ana tjetër, kemi parë kërkesat e tyre dhe me përgjegjshmëri duhet t'i ndjekim deri në fund kërkesat e studentëve dhe protestën e tyre, dhe ne do të jemi me ta deri në momentin e fundit.
Ju bëj thirrje edhe ndonjë pedagogu që mendon se mund të bëjë mësim me një apo dy studentë: duke bërë mësim me një a dy studentë në leksion, është edhe në shkelje të rregullores, pasi ne jemi këtu pedagogë për t'u dhënë mësim të gjithë studentëve dhe do t'ju bëjmë orët shtesë për të mbyllur gjithë ciklin mësimor.
Nga ana tjetër, në vijimësi, studentët kanë paralajmëruar edhe një protestë nesër në orën 14:00 dhe do të ndjekim itinerarin e tyre, plotësisht në mbështetje të tyre.
Gjithashtu, ne e kemi të qartë se çfarë duan studentët: studentët duan mbylljen e tranzicionit dhe rinovimin e klasës politike dhe, si të tillë, i bëjmë thirrje politikës që të dëgjojë zërin e studentëve protestues, pasi ky tranzicion duhet të marrë fund, klasa politike duhet të kuptojë përgjegjësinë e saj që ka lidhje me këtë tranzicion të trazuar dhe ka ardhur koha që Shqipëria të kalojë në një proces demokratik të plotë, siç i ka hije një vendi evropian. Dhe këtë kërkojnë studentët, këto lloj reformash, të cilave duhet t'u përgjigjet politika.
Ndaj, edhe një herë, bëjmë thirrje që t'i mbështesim studentët dhe u themi se profesorati tashmë, si sindikatë, nuk është te kërkesat e ngushta të veta apo të profesoratit, por tashmë ajo është te kërkesat për studentët e tyre dhe çdo pedagog i bëj thirrje të mendojë si student. Është periudha që pedagogu të mendojë si student.
Bëjmë thirrje të mos bëhet mësim me 2-3 studentë, se është turp.
Siç kemi edhe drejtues që e kuptojnë realitetin, se çfarë duan studentët, kanë shprehur neutralitetin në këtë situatë.
© SYRI.net