Sekretariati i Etikës ka vendosur të marrë masa disiplinore ndaj gjashtë deputetëve të Partisë Demokratike, pas incidenteve të regjistruara gjatë seancës së fundit plenare në Kuvend.
Në mbledhjen e zhvilluar sot, u miratua kërkesa e paraqitur nga deputetët socialistë për përjashtimin për 60 ditë nga punimet parlamentare të Flamur Nokës, Belind Këlliçit, Edi Palokës, Fidel Krekës, Luçiano Boçit dhe Besart Xhaferrit.
Ndërkohë, për 14 ligjvënësit e tjerë demokratë, ndaj të cilëve Partia Socialiste kishte kërkuar gjithashtu masa disiplinore, Sekretariati vendosi të mos aplikojë përjashtimin, por të kufizohet vetëm në tërheqjen e vëmendjes.
Deputetët që morën paralajmërim janë Gjin Gjoni, Bardh Spahia, Albana Vokshi, Elda Hoti, Xhelal Mziu, Gent Strazimiri, Enno Bozdo, Kastriot Piroli, Kliti Hoti, Flamur Hoxha, Arjan Ndoja, Ivi Kaso, Zija Ismaili dhe Blendi Himçi.
Vendimmarrja vjen pas përplasjeve të një dite më parë në sallën e Parlamentit, ku deputetë të opozitës bllokuan foltoren, ndërsa u regjistruan debate të ashpra, fyerje dhe hedhje sendesh në drejtim të përfaqësuesve të mazhorancës.
Pas këtyre incidenteve, socialistët iu drejtuan Sekretariatit të Etikës, duke kërkuar ndëshkimin e 20 deputetëve demokratë për pengimin e zhvillimit normal të seancës dhe sjelljet e pretenduara si të dhunshme.
Në përfundim të shqyrtimit, Sekretariati miratoi masën më të rëndë për gjashtë prej tyre, ndërsa për pjesën tjetër vendosi vetëm paralajmërim.
