
Kryeministri Edi Rama ka akuzuar Partinë Demokratike se qëndron pas dhunës së ushtruar pranë Ministrisë së Arsimit gjatë protestave studentore. Në një deklaratë publike, kreu i qeverisë pretendoi se personat e përfshirë në përplasjet me policinë janë paguar nga krimi i organizuar dhe forca të huaja, me synimin për të përmbysur rendin në vend.
Rama e cilësoi PD-në si “glasa mbi tortë”, duke iu referuar asaj që e përshkroi si ndërhyrje nga jashtë dhe duke pretenduar se opozita ka marrë autorësinë e nisjes së dhunës pranë Ministrisë së Arsimit.
Kryeministri paralajmëroi gjithashtu publikimin e pamjeve që, sipas tij, do të tronditin opinionin publik. Ai deklaroi se personat që shfaqen në to janë ndaluar nga policia dhe nuk janë studentë, por individë që, sipas tij, nuk kanë lidhje me protestën paqësore të të rinjve.
“Dje PD mori autorësinë e fillimit të dhunës te Ministria e Arsimit. Do të ndaj me ju pamje që do të trondisin më shumë se ju shumëkënd. Për arsye se është ruajtur identiteti i personave në respekt të ligjit. Të gjithë personat që do të shihni janë subjekt dhe objekt i sulmeve. Janë persona të ndaluar nga policia. Nuk janë studentë, janë diçka tjetër”, deklaroi Rama.
Në vijim, kreu i qeverisë pretendoi se personat e përfshirë në akte dhune janë financuar nga krimi i organizuar dhe forca të huaja. Ai nuk paraqiti në deklaratën e cituar emra konkretë apo prova që të mbështesin këto akuza.
“Mjaftojnë çehret, pavarësisht fshehjes së identitetit, që mund të jenë pjesë e një përfaqësie të një bote të zymtë, karrierat e këtyre individëve, që janë paguar nga krimi i organizuar dhe forca të huaja. Duan ta kthejnë përmbys edhe një herë rendin. Këta nuk janë studentët. Tani është koha që fjalia të mbështetet nga faktet dhe dokumentet”, u shpreh kryeministri.