Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të shkojë përtej një deklarimi politik mbi protestat e dhunshme në Tiranë, duke publikuar të dhëna për persona të arrestuar dhe duke i lidhur veprimet e tyre me pretendime për organizim të qëllimshëm, financim nga krimi i organizuar dhe ndërhyrje të forcave të huaja.
Përmes publikimit të fotografive me sytë e mbuluar, inicialeve dhe referencave ndaj precedentëve penalë, Rama u përpoq të bindte se dhuna gjatë protestave nuk ishte thjesht produkt i përplasjeve në rrugë, por pjesë e një skenari të përgatitur prej muajsh.
Megjithatë, ekzistenca e një precedenti penal nuk përbën vetvetiu provë se një person ka vepruar me porosi politike, është financuar nga organizata kriminale apo ka bashkëpunuar me shërbime të huaja.
Kryeministri shkoi edhe më tej, duke pretenduar se në protestë janë përfshirë grupe të lidhura me rrjetin ANTIFA, se një pjesë e pjesëmarrësve janë financuar nga krimi i organizuar dhe forca të huaja, si dhe se në Shqipëri janë futur maska dhe lëndë eksplozive përmes subjekteve të caktuara.
“Tani unë do ndaj me ju pamje që do trondisin shumëkënd. Këta persona nuk janë student, janë diçka tjetër. Ata shikojnë te dhuna për të ulur në gjunjë qeverinë e zgjedhur të Shqipërisë dhe për të më imponuar mua një shkelje të patolerueshme të kontratës me shqiptarët.
“Sot jam këtu për të ekspozuar një komponent që e kam komentuar mes shumë përqeshjeve dhe mes shumë ofendimeve të kthyera drejt meje, si një koment fyes për studentët. Qysh se nisi protesta paqësore masive e flamengove, kam thënë se arsyet për të protestuar janë legjitime. Por se qysh në krye të herës ajo protestë ishte e influencuar rëndë nga forca të tjera, ka qenë një fakt.
Ka qenë një fakt që në këtë valë të dytë e të dhunshme është evidentuar në të gjithë përmasën e vetë. Përshkallëzimi është përgatitur për disa muaj. Të dhënat e futjes në Shqipëri të maskave, të lëndëve eksplozive e kështu me radhë, përmes doganës dhe nga subjekte të caktuara, janë tashmë në duart e Policisë.
Të dhënat e organizimit të grupeve si pjesë e rrjetit ANTIFA, rrjeti i terrorit urban që në emër të neokomunizmit ka vendosur të futet në jetët e njerëzve përmes dhunës, janë në duart e Policisë. Por në duart e Policisë janë edhe një pjesë e pjesëmarrësve në këtë dhunë të financuar drejtpërdrejtë nga krimi i organizuar dhe forca të huaja. Por glasa mbi tortë është PD, që dje mori edhe autorësinë e fillimit të dhunës te Ministria e Arsimit.
Tani unë do ndaj me ju pamje që do trondisin shumëkënd. Këta persona nuk janë student, janë diçka tjetër. Ata shikojnë te dhuna për të ulur në gjunjë qeverinë e zgjedhur të Shqipërisë dhe për të më imponuar mua një shkelje të patolerueshme të kontratës me shqiptarët”, tha mes të tjerash Rama.












