Vendosni fjalën kyçe....

Mjeku në mbështetje të studentëve: Iu kërkojmë ndjesë të rinjve, është koha që politika e vjetër të largohet



Një mjek, në mbështetje të studentëve që po protestojnë, ka deklaruar se brezi i tij duhet t’u kërkojë ndjesë të rinjve për situatën e krijuar, ndërsa vlerësoi qëndrimin e tyre përballë politikës së vjetër.

Në një deklaratë për mediat, ai u shpreh se të rinjtë po i japin një mësim politikës dhe se ka ardhur koha që kjo e fundit t’i hapë rrugë brezit të ri për të udhëhequr vendin.

Mjeku u ndal edhe te dhuna gjatë protestave, duke theksuar se studentët nuk duhet të goditen. Ai shtoi se mjekët nuk dëshirojnë të përballen me pasojat e dhunës, as te protestuesit dhe as te efektivët e policisë.

“Ne do të ecim në hapat e studentëve. Gjenerata ime duhet t’i kërkojë ndjesë këtyre të rinjve për shkak të politikës së vjetër. Kjo rini i jep leksione gjithë politikës. Politikës së vjetër i ka ardhur koha t’i lërë terren rinisë”, deklaroi ai.

Më tej, mjeku përmendi edhe Sindikatën e Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor, duke theksuar rëndësinë e ndërgjegjësimit të të gjitha palëve për të shmangur përshkallëzimin e situatës.

“Çelësi i suksesit është të bëhen të ndërgjegjshme të gjitha palët. Studentët nuk duhet të goditen. Ne nuk do të donim të ngjisnim kockat e shqiptarëve, përfshirë edhe të policisë. Është koha e rinisë për të udhëhequr këtë vend”, u shpreh mjeku.