Aktualitet

Rama i publikoi inicialet si protestues me precedent penal, i riu: Nuk kam precedent. Jam student i Mjekësisë me mesatare 10!

Një nga studentët e Mjekësisë që sot iu bashkua protestës para Kryeministrisë është 20-vjeçari Joni Sinoymeri, i cili deklaroi se është personi me inicialet J.S. që kryeministri Edi Rama publikoi me foto, duke e prezantuar si person me precedent për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

Para kamerave, i riu hoqi maskën kirurgjikale dhe referuar fotos së publikuar nga kryeministri me mbishkrimin “Student? Jo!”, u shpreh:

Jam ky këtu.

Sinoymeri theksoi se është student i Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, me mesataren 10.

Më ka akuzuar mua për precedent penal, për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Shikojeni në foto të gjithë, se nuk kam asnjë lloj turpi.

Unë jam student i Universitetit të Mjekësisë, e kam të shkruajtur këtu. Nuk ka asnjë lloj çfarë legjendash me mbret shpik ky.

Meqë ka dashur të na cenonte, na ka quajtur organizata Antifa, neokomunista.

Dua të tregoj edhe të gjitha notat që kam marrë, me mesatare 10. Nuk na ndaloni dot me këto gënjeshtra.

20-vjeçari tregoi gjithashtu se ishte shoqëruar në polici të martën e kaluar, ku siç tha, u mbajt për rreth 7 orë e gjysmë dhe më pas u la i lirë.

I pyetur nëse do të bëjë denoncim, deklaroi:

Nuk e di a do ta denoncoj, se nuk kam kohë për denoncime të kota. Nuk kam besim te asgjë. Te kush ta denoncoj?