Cilët janë protagonistët më të urryer të “El Clásico” nga tifozët e Real Madridit dhe Barcelonës? Rivaliteti historik mes dy gjigantëve spanjollë ka prodhuar shumë raste kur futbollistët kanë kaluar nga njëra anë te tjetra.
Luis Figo mbetet simboli i tradhtisë për katalanasit. Transferimi i tij te Reali shkaktoi zemërim të jashtëzakonshëm, që kulmoi me hedhjen e një koke derri në fushë gjatë një ndeshjeje në Barcelonë. Megjithatë, José Mourinho vazhdon të jetë një nga figurat më antipatike për tifozët blaugrana, për shkak të qëndrimeve dhe polemikave të tij ndër vite.
Ndër tradhtarët e tjerë të famshëm është Michael Laudrup, i cili kaloi nga Barcelona te Reali dhe fitoi menjëherë kampionatin. Luis Enrique ndoqi rrugën e kundërt. Pasi luajti për madrilenët, iu bashkua Barcelonës në vitin 1996.
Edhe Samuel Eto’o kaloi nga Reali te Barcelona, ku u shndërrua në një yll botëror, ndryshe nga periudha e tij e zbehtë në Madrid. Një tjetër emër i madh është Ronaldo Fenomeni. Pas shpërthimit te Barcelona dhe eksperiencës me Interin, braziliani iu bashkua Realit në vitin 2002, pas Botërorit të fituar si protagonist.







