
Sali Berisha ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për manipulim të fakteve dhe të shifrave lidhur me protestuesit dhe efektivët e policisë të plagosur gjatë protestave të ditëve të fundit. Në deklaratën e tij, kreu i PD-së përdori tone të forta ndaj kreut të qeverisë, duke e cilësuar atë si një “zëdhënës i prokurorisë së kohërave të shkuara”. Sipas liderit demokrat, Rama ka ngritur akuza ndaj personave të ndryshëm, por ka harruar të kaluarën e tij.
“Ai sot doli para shqiptarëve si një zëdhënës i prokurorisë së kohërave të shkuara. Akuzoi, apo paraqiti një galeri emrash, sipas tij të inkriminuar, me akuza nga më të ndryshmet”, deklaroi Berisha. Ai iu referua edhe akuzave që, sipas tij, kryeministri duhet t’i shmangte për shkak të çështjeve të së kaluarës, duke shtuar se “përmendja e litarit në shtëpinë e të varurit nuk është mençuri”.
Një pjesë të rëndësishme të reagimit, Berisha ia kushtoi numrit të protestuesve dhe efektivëve të policisë të plagosur gjatë përplasjeve. Ai kundërshtoi deklaratat e Ramës për raportin mes të plagosurve nga të dyja palët, duke pretenduar se numri i protestuesve të lënduar është shumë më i lartë. “Raporti i plagosjeve protestues-polic është të paktën minimumi 1 me 15, mund të jetë 1 me 30, sepse janë me dhjetëra qindra të plagosur që shmangin spitalet për t’iu shmangur persekutimit”, u shpreh kreu i PD-së.
Berisha akuzoi kryeministrin për manipulim të shifrave dhe pretendoi se gjatë protestave janë regjistruar raste të shumta dhune ndaj qytetarëve. Ai përmendi plagosje nga plumbat, përdorimin e forcës ndaj protestuesve të shtrirë në tokë dhe, sipas tij, trajtimin e dhunshëm të të miturve. “Shqiptarët panë gjatë këtyre 11 ditëve kafka të çara nga plumbat të protestuesve. Panë breshëri plumbash mbi trupat e tyre”, deklaroi Berisha, duke shtuar se pamjet e protestave, sipas tij, dëshmojnë për një nivel të lartë dhune. Në vijim, kreu demokrat e cilësoi Ramën si “të pafytyrë” dhe e akuzoi se po paraqet të dhëna të pavërteta për situatën e krijuar gjatë protestave. “E vërteta është që policët që kanë parë të plagosur numërohen me gishtat e duarve”, përfundoi Berisha.
