Vendosni fjalën kyçe....

Studenti i Mjekësisë: Kam humbur nënën nga kanceri, ka mungesa në trajtimet onkologjike


Një student i sapodiplomuar për Mjekësi të Përgjithshme ka marrë pjesë në protestën e sotme, ku ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ka ngritur shqetësime për problematikat në sistemin shëndetësor.

Gjatë fjalës së tij, ai kritikoi mazhorancën për mosadresimin e kërkesave të studentëve, duke theksuar se shqetësimet e ngritura gjatë protestave vijojnë të mbeten pa zgjidhje.

I prekur emocionalisht, i riu foli edhe për humbjen e nënës së tij nga kanceri i gjakut, duke rrëfyer përvojën personale dhe duke ngritur shqetësime për mungesat në trajtimet onkologjike dhe kimioterapitë që ofrohen në vend.

“Unë jam i sapodiplomuar për Mjekësi të Përgjithshme. Ky ishte solidariteti që mund të ofrojmë, sepse kemi parë për mbi 130 ditë me revolucionin e flamingove, pamë edhe lëvizjen e studentëve që u cilësua si e dhunshme, por pamë një përbuzje që është ende sot nga pjesa e mazhorancës dhe në veçanti nga kryeministri. Nuk janë adresuar problematikat që studentët ngrenë”, u shpreh ai.

Më tej, studenti kërkoi largimin e kreut të qeverisë, duke e lidhur situatën aktuale me, sipas tij, dështimin e mazhorancës për të përmbushur përgjegjësitë e saj.

“Ka ardhur momenti që të kërkojmë dorëheqjen e kryeministrit. Jemi në këto problematika sepse kjo mazhorancë nuk e ka bërë atë që duhet të bënte. Kemi problematikën e Onkologjikut. Unë timen e kam humbur nga kanceri i gjakut dhe nuk e ndiej që kam bërë maksimumin ndaj saj, sepse ka shumë mungesa në pjesën e trajtimeve dhe kimioterapitë që ofrohen”, deklaroi studenti.