Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Të miturit kanë bërë histori, një i mitur rrëzoi bustin e Enverit



Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për përfshirjen e të miturve në protestat studentore.

Gjatë një konference për shtyp në selinë e PD-së, Berisha deklaroi se të miturit kanë luajtur rol në ngjarje historike dhe se kanë të drejtë të mbrojnë të drejtat e tyre përmes protestave, në përputhje me ligjin.

“Të miturit kanë bërë histori. Kanë bërë histori në Shqipëri, kanë bërë histori në botë. Të miturit në të gjitha konventat ndërkombëtare kanë të drejtë të mbrojnë të drejtat e tyre. Dhe të miturit në protestat e tyre janë të mbrojtur nga ligji ndërkombëtar dhe ligji i vendit”, u shpreh Berisha.

Për të mbështetur argumentin e tij, kreu demokrat iu referua ngjarjeve të 21 shkurtit 1991, kur u rrëzua busti i diktatorit Enver Hoxha në Tiranë. Sipas Berishës, në atë moment një i mitur, rreth 13 ose 14 vjeç, shkoi drejt bustit dhe e bëri copa-copa.

“Si në një mrekulli, ishte një i mitur, 13 ose 14-vjeçar, i cili në këtë moment ndër më dramatikët të atij revolucioni shkoi dhe rrëzoi bustin, e bëri copa-copa”, deklaroi ai.

Berisha shtoi se të miturit kanë kontribuar edhe në momente të tjera kritike, duke vlerësuar guximin e të rinjve që marrin pjesë në protestat e sotme.