Fundi i arit të shtrenjtë? Një start up amerikan pretendon se ka kthyer mërkurin në ar

Një kompani relativisht e panjohur amerikane, Marathon Fusion, pretendon se ka arritur të shndërrojë merkurin në ar të qëndrueshëm, duke tejkaluar dhjetëfish rekordin e CERN-it. Zhvillimi ngre një çështje me rëndësi për tregjet ndërkombëtare: a mund të ndikojë prodhimi i arit në laborator te çmimet, ashtu siç ndodhi me diamantët sintetikë?
Kompania me seli në San Francisko njoftoi të mërkurën se eksperimenti ishte realizuar muajin e kaluar. Megjithatë, pretendimi nuk është verifikuar ende nga ekspertë të pavarur dhe nuk dihet sasia e arit të prodhuar apo kostoja e procesit.
Marathon Fusion u themelua në vitin 2023 nga Kyle Schiller dhe Adam Rutkowski, ky i fundit ish-inxhinier i SpaceX. Kompania zhvillon sisteme karburanti për centralet e ardhshme të energjisë nga bashkimi bërthamor, një teknologji që synon të prodhojë energji duke bashkuar bërthamat atomike, ngjashëm me proceset që ndodhin në Diell.
Ndër mbështetësit e saj janë Breakthrough Energy, rrjeti i teknologjisë klimatike i themeluar nga Bill Gates, dhe grupi minerar Anglo American, pronar i kompanisë së njohur të diamantëve De Beers.
Në vitin 2025, CERN kishte njoftuar se përshpejtuesi i tij i grimcave kishte krijuar rreth 29 pikogramë ar gjatë periudhës 2015-2018. Kjo sasi përfaqësonte afërsisht 86 miliardë bërthama ari, të cilat ekzistuan vetëm për një fraksion jashtëzakonisht të vogël të sekondës.
Teknologjia e Marathon Fusion mbështetet në përdorimin e neutroneve të prodhuara nga reaksionet e bashkimit bërthamor. Këto neutrone godasin merkurin dhe e shndërrojnë në një izotop të paqëndrueshëm, i cili më pas zbërthehet duke formuar ar.
Kompania pretendon gjithashtu se ka tejkaluar një rekord sovjetik 40-vjeçar në teknologjinë e centrifugimit të plazmës dhe po ndërton një reaktor të ri në San Francisko.
Çfarë ndodhi me diamantët?
Përvoja e tregut të diamantëve shërben si një paralajmërim për industrinë e arit.
Diamantët e prodhuar në laborator kanë përbërje kimike identike me diamantët natyrorë. Megjithëse specialistët mund t’i dallojnë, prodhimi industrial ka bërë që çmimet e tyre të bien ndjeshëm.
Sipas analistit Paul Zimnisky, çmimet e shitjes me shumicë të diamantëve laboratorikë kishin rënë me 90% deri në 95% krahasuar me vitin 2015.
Edhe diamantët natyrorë janë përballur me presionin e konkurrencës.
De Beers, një nga kompanitë më të mëdha të industrisë, lançoi në vitin 2018 markën Lightbox, e cila shiste diamantë laboratorikë për 800 dollarë për karat. Por në vitin 2025, kompania vendosi ta mbyllte këtë aktivitet dhe të përqendrohej te diamantët natyrorë.
De Beers regjistroi humbje operative të korrigjuara prej 511 milionë dollarësh në vitin 2025.
Ndërkohë, sipas Bloomberg, Anglo American është në bisedime për të shitur pjesëmarrjen e saj prej 85% në De Beers për rreth 1 miliard dollarë.
Pse tregu i arit është ndryshe?
Ndryshe nga diamantët, ari ka një rol shumë më të gjerë në ekonominë botërore.
Sipas Këshillit Botëror të Arit, në vitin 2025 minierat prodhuan 3.672 tonë ar, ndërsa sasia totale e nxjerrë gjatë gjithë historisë njerëzore vlerësohet në rreth 222.600 tonë.
Ari përdoret jo vetëm në bizhuteri dhe industri, por edhe si rezervë strategjike nga bankat qendrore. Vitet e fundit, vende si Kina dhe Polonia kanë shtuar blerjet e metalit të çmuar.
Të enjten, ari tregtohej me rreth 4.062 dollarë për ons, mbi 27% më poshtë se rekordi prej 5.598 dollarësh i arritur në janar.
Një studim i Marathon Fusion, i publikuar në vitin 2025, vlerësonte se një central bashkimi bërthamor mund të prodhonte rreth pesë tonë ar në vit për çdo gigavat kapacitet elektrik.
Nëse do të ndërtoheshin 100 centrale të tilla, prodhimi potencial do të arrinte në 500 tonë ar në vit, ekuivalent me rreth 14% të prodhimit vjetor aktual nga minierat.
Megjithatë, ky mbetet një skenar teorik.
Asnjë central bashkimi bërthamor nuk shet ende energji elektrike në mënyrë komerciale dhe teknologjia është ende disa vite larg përdorimit në shkallë industriale.
Për më tepër, ari i prodhuar përmes këtij procesi mund të përmbajë izotope radioaktive. Sipas kompanisë, materiali mund të ketë nevojë të ruhet deri në 18 vjet përpara se të jetë i përshtatshëm për tregtim.
Aktualisht nuk ekziston asnjë plan publik për prodhimin dhe tregtimin e arit të krijuar në këtë mënyrë.
Megjithatë, ekziston një dallim i rëndësishëm me diamantët laboratorikë: pasi të jetë zhdukur radioaktiviteti, ari i prodhuar përmes shndërrimit bërthamor do të ishte praktikisht i padallueshëm nga ari i nxjerrë nga minierat.
Kjo do të thotë se, nëse teknologjia bëhet ekonomikisht e leverdishme dhe arrin të prodhojë sasi të konsiderueshme, ajo mund të ndryshojë në të ardhmen ekuilibrat e ofertës në tregun botëror të arit./Euronews
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









