
Antonio Conte ka reaguar përmes një postimi në Instagram, duke sqaruar situatën e tij dhe duke hedhur poshtë raportimet e fundit që e lidhin me disa klube të mëdha evropiane, mes tyre Manchester United dhe Juventusin.
Trajneri italian, i cili vjen pas një eksperience të suksesshme në drejtimin e Napolit, ka theksuar se aktualisht nuk ka asnjë negociatë të avancuar dhe se nuk dëshiron të nxitohet për të vendosur hapin e radhës në karrierën e tij.
“Duke pasur parasysh informacionet e publikuara ditët e fundit nga disa media, në Itali dhe jashtë saj, e konsideroj të nevojshme të ndërhyj për të sqaruar situatën. Emri im është lidhur me shumë klube, por për momentin nuk ka asnjë negociatë në fazë të avancuar”, shkruan Conte.
Më tej, tekniku italian nënvizon se do të marrë kohën e nevojshme për të vendosur se kur dhe ku do të rikthehet në stol.
“Pas një eksperience fantastike dhe të suksesshme në drejtimin e Napolit, do të marr kohën e nevojshme për të vlerësuar se si dhe kur do të rikthehem te drejtimi i një skuadre. Do të jetë një vendim i menduar mirë, të cilin do ta marr kur të mendoj se janë krijuar kushtet e duhura”, shprehet ai.
Conte ka reaguar gjithashtu ndaj lajmeve për pretendime të larta financiare dhe kërkesa për kompetenca të plota në klubet që janë përmendur si destinacione të mundshme. Ai i ka cilësuar këto raportime si të pabazuara, duke theksuar se aktualisht nuk ekzistojnë bisedime konkrete mbi të cilat mund të mbështeten pretendime të tilla.
“Nëse do të shfaqet një mundësi konkrete, atëherë do të jetë momenti për t’u ulur me klubin e interesuar dhe për të vlerësuar së bashku kushtet e një marrëveshjeje të mundshme, duke respektuar nevojat e të dyja palëve dhe karakteristikat që dallojnë punën time si trajner”, përfundon Conte.
