Europoli ka zbuluar disa rrjete kriminale që rekrutonin gra për shfrytëzim seksual, punë të detyruar dhe trafikim organesh, duke u premtuar fitime të larta përmes ofertave të rreme të punës.

Gjatë një operacioni ndërkombëtar, ku morën pjesë 40 ekspertë dhe hetues nga 20 vende, u identifikuan 51 viktima të mundshme të trafikimit me njerëz, pesë të dyshuar dhe gjashtë rrjete të organizuara kriminale. Të gjitha viktimat e identifikuara ishin gra.


Operacioni u drejtua nga Holanda, në bashkëpunim me Gjermaninë, Rumaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Hetimet u përqendruan në gjurmët digjitale që trafikantët lënë gjatë rekrutimit të viktimave përmes rrjeteve sociale, aplikacioneve të komunikimit dhe platformave online.

Në një nga rastet e zbuluara, grave nga Rusia u premtoheshin 10 mijë dollarë brenda dy javësh, me kusht që të pranonin oferta pune në Evropë dhe pjesë të tjera të botës. Megjithatë, këto oferta shërbenin si mbulesë për shfrytëzimin e tyre.

Hetuesit zbuluan gjithashtu një agjenci fiktive modelesh, e cila përdorte profile në rrjetet sociale për të rekrutuar vajza me premtimin e punësimit në vendet e Bashkimit Evropian.

Gjatë kontrolleve në 26 platforma online, 77 llogari në rrjetet sociale dhe dhjetëra elemente të tjera digjitale, u identifikuan lidhje të dyshimta mes profileve të përdorura për shfrytëzim seksual. Në disa raste, i njëjti numër telefoni ishte i lidhur me dhjetëra profile të ndryshme.

Përveç kësaj, hetuesit zbuluan grupe të mbyllura në aplikacionet e komunikimit, ku dyshohet se rekrutoheshin persona për trafikim organesh. Të dhënat paraprake çuan drejt klinikave private dhe spitaleve jashtë Bashkimit Evropian.

Autoritetet mblodhën gjithashtu informacione për raste të dyshuara të shfrytëzimit të grave vietnameze si nëna surrogate.

Europoli bëri të ditur se të dhënat e mbledhura do t'u përcillen autoriteteve përkatëse për hetime të mëtejshme dhe identifikimin e personave të përfshirë në këto rrjete kriminale. /Telegrafi/