Trajneri italian reagon ndaj zërave që e lidhin me Manchester United dhe Juventusin, duke theksuar se do të rikthehet në stol vetëm kur të krijohen kushtet e duhura.

Antonio Conte ka vendosur të sqarojë të ardhmen e tij profesionale përmes një postimi në Instagram, pas zërave të shumtë që e lidhin me stolin e Manchester United dhe Juventusit, dy skuadra që po kalojnë një periudhë të vështirë. Ish-trajneri i Juventusit, Interit dhe Napolit thekson se aktualisht nuk ka negociata të avancuara me asnjë klub dhe se nuk ka ndërmend të nxitojë për rikthimin në drejtimin e një skuadre.

“Emri im është lidhur me shumë klube, por për momentin nuk ka negociata në një fazë të avancuar. Pas një përvoje fantastike dhe të suksesshme në krye të Napolit, do të marr kohën e nevojshme për të vlerësuar se si dhe kur do të rikthehem në stërvitje. Do të jetë një vendim i menduar mirë, të cilin do ta marr vetëm kur të besoj se ekzistojnë kushtet ideale”, shkruan Conte.

Tekniku italian ka reaguar gjithashtu ndaj raportimeve për pretendimet e tij financiare dhe kërkesat për kontroll të plotë mbi skuadrat që mund të drejtojë, si edhe ndaj komenteve për personalitetin e tij të fortë. “Kam lexuar thashetheme për kërkesat financiare apo për kontrollin e plotë që pretendohet se u kam kërkuar klubeve të përmendura, si dhe dyshime lidhur me atë që cilësohet si ‘personaliteti im i fortë’. Këto janë zëra të pabazuar, pasi aktualisht nuk ekziston asnjë bazë konkrete për vlerësime të tilla”, vijon ai.

Conte lë të hapur mundësinë e rikthimit në stol, por sqaron se çdo diskutim do të nisë vetëm nëse shfaqet një ofertë konkrete, e cila do të vlerësohet në përputhje me pritshmëritë e tij dhe nevojat e klubit të interesuar. “Deri atëherë, çdo hipotezë për kërkesat e mia apo të ardhmen time profesionale mbetet spekulim i pastër dhe nuk mund të konsiderohet si fakt”, përfundon trajneri italian.

Top Channel