Tre të mitur, 16 vjeç, janë plagosur me mjet prerës pas një konflikti për motive të dobëta në qytetin e Hasit.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:35 të kësaj të premteje, në rrugën “Lidhja e Prizrenit”, jashtë ambienteve të një bilardoje.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, i dyshuari për plagosjen është një 16-vjeçar me inicialet A.G., shok klase me tre të dëmtuarit.
Të plagosurit janë transportuar fillimisht në Spitalin Rajonal të Kukësit për të marrë ndihmë mjekësore, ndërsa dy prej tyre janë dërguar më pas në Prizren për trajtim më të specializuar.
Policia ka kapur dhe shoqëruar autorin e dyshuar, ndërsa në vijim të veprimeve është shoqëruar edhe një tjetër 16-vjeçar, i dyshuar si përkrahës i tij.
Gjatë veprimeve hetimore është sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe biçaku që dyshohet se u përdor në plagosje.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe për të dokumentuar ligjërisht rastin.





