Kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka reaguar serish deklaratave të kryeministrit Edi Rama ndaj Arditit, një prej protestuesve që i është bashkuar qëndresës përpara Kryeministrisë, duke e cilësuar atë si një nga njerëzit që meritojnë të jenë në “tabelën e nderit”.
Në reagimin e tij, Lapaj rrëfen se Arditi mbërriti në shesh më 10 dhjetor, pasi kishte udhëtuar nga Suedia, fillimisht me synimin për të qëndruar vetëm dy orë. Sipas tij, ai qëndroi në protestë për 105 ditë.
Lapaj bën me dije se Arditi është emigrant në Suedi, me profesion ekonomist, bashkëshort i avokates së të drejtave të njeriut Sabina Boo dhe baba i një vajze 13-vjeçare.
Reagimi vjen pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili, sipas Lapajt, e ka akuzuar Arditin për precedentë penalë lidhur me veprat penale “Prishje e qetësisë publike”, “Pushtim i tokës”, “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme” dhe “Goditje për shkak të detyrës”.
Lapaj kundërshton këto akuza, duke deklaruar se Arditi është arrestuar dhe proceduar gjashtë herë që prej 8 dhjetorit 2025, për shkak të pjesëmarrjes në protestat përpara Kryeministrisë. Sipas tij, në të gjashta rastet, prokuroria dhe gjykata kanë konstatuar paligjshmërinë e arrestimeve.
Në reagimin e tij, kreu i “Shqipëria Bëhet” akuzon kryeministrin se po i etiketon publikisht protestuesit, ndërsa thekson se qëndresa e tyre synon një Shqipëri demokratike.
“Edi Rama, banditët dhe hajdutët i ke te zyra jote! Këta përballë janë heronj që po luftojnë përballë teje për një Shqipëri demokratike”, shprehet Lapaj në reagimin e tij.
Me mesazhin “Arditi në tabelën e nderit!”, Lapaj e paraqet qëndresën e protestuesve si simbol të përballjes me qeverinë dhe të kërkesës së tyre për ndryshim politik në vend





