Gazetari Almer Toska ka ngritur akuza të rënda për mënyrën se si po menaxhohen protestat studentore në Shqipëri, duke pretenduar se në radhët e forcave të angazhuara për ruajtjen e rendit janë përfshirë edhe ushtarakë të veshur me uniforma policie.
Sipas gazetarit, një kontingjent ushtarakësh është tërhequr nga repartet dhe është angazhuar në pika kyçe gjatë protestave, duke marrë pjesë në ushtrimin e dhunës ndaj të rinjve. Këto pretendime nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.
Toska kritikoi ashpër edhe qëndrimin e kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për hipokrizi në raport me studentët. Ai iu referua ftesave të kryeministrit për dialog, duke i krahasuar me denoncimet për dhunë policore gjatë protestave.
Almer Toska:
Brenda strukturave të policisë që janë angazhuar në dhunimin e të rinjve ka edhe ushtarë me pagesë. Janë marrë nga ushtria, janë veshur me uniformë policie dhe s’kanë numër serie. Këtë e kam burim nga një ish-drejtues policie.
Ka një kontingjent ushtarakësh me pagesë që kryejnë shërbim në disa pika kyçe. Janë tërhequr nga repartet ushtarake, u kanë dhënë shkopinj dhe ka nisur dajaku.
Me këtë do të ketë dialog? Ditën nxjerr karriget, natën nxjerr kërbaçin? Nuk ka njeri që e pranon këtë presion në Shqipëri.
Edi Rama ka mbi 35 vepra me shkelje. Të gjitha shkojnë në 350 vite burg, 21 vepra penale. Nuk po flas për drejtorët e këtij që marrin lekë. Ky është koka e rrjetit të korrupsionit.
Nesër në protestë do të ketë pjesëmarrje nga e gjithë Shqipëria. Nuk durojnë më shqiptarët këtë vjedhje nga të gjitha anët.
Ai thotë ANTIFA. Nuk ka ANTIFA. Janë të rinj që kanë kaluar adoleshencën dhe rininë me ty në pushtet! Çfarë të presin më?
Ramën e pret fundi i Gruevskit!
Kemi një rini të lexuar, të motivuar. Kjo rini është braktisur nga këta, nuk kanë çfarë të humbasin dhe nuk bëjnë mbrapa. Janë kthyer në misionarë të shpëtimit të Shqipërisë.
Nesër protesta do të jetë plot, nga të gjitha anët e Shqipërisë dhe diaspora.













