KE e mbron delegacionin vëzhgues të zgjedhjeve të PE-së të cilin e kundërshton Serbia

23 Tetor 2026 | 16:11

Komisioni Evropian, KE i doli në mbrojtje të delegacionit të Parlamentit Evropian, PE i cili do t’i vëzhgojë zgjedhjet në Serbi, pasi Beogradi zyrtar kundërshtoi përbërjen e tij.

“Sa u përket konkretisht misioneve për vëzhgimin e zgjedhjeve, dua të jem i qartë: ne i marrim shumë seriozisht të gjitha përpjekjet për të diskredituar deputetët e PE-së që marrin pjesë në vëzhgimin e zgjedhjeve”, tha gjatë një konference për media zëdhënësi i Komisionit Evropian, Christian Wiegand.

Ai theksoi se puna e delegacionit bazohet në standarde të qarta, paanshmëri dhe ekspertizë shumëvjeçare.

“Prandaj, presim që të gjitha vendet, përfshirë, natyrisht, vendet kandidate dhe kandidatët potencialë [për anëtarësim në Bashkimin Evropian], të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive dhe transparente me përpjekjet ndërkombëtare për vëzhgimin e zgjedhjeve”, tha zëdhënësi në Bruksel.

“Vendosja e një misioni afatgjatë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë [OSBE] për vëzhgimin e zgjedhjeve, meqë ra fjala, me kërkesë të autoriteteve serbe, si dhe ftesa drejtuar PE-së, përbëjnë hapa të rëndësishëm drejt sigurimit të vëzhgimit të besueshëm të zgjedhjeve dhe mbështetjes së kontributit të vëzhguesve vendorë në integritetin e procesit zgjedhor”, shtoi Wiegand.

Ky reagim erdhi pasi kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së presidentit të Serbisë, Ana Bërnabiç, i dërgoi një letër presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, në të cilën shprehu kundërshtimin për përbërjen e delegacionit, veçanërisht për emërimin e eurodeputetit Andreas Schieder si drejtues të tij.

Sipas Bërnabiç, veprimtaria publike e deritanishme e disa anëtarëve të delegacionit dëshmon për “anshmërinë e tij të plotë politike”.

Pas pranimit të letrës, PE-ja njoftoi se nuk ka ndërmend ta ndryshojë përbërjen e delegacionit që do t’i vëzhgojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, që do të mbahen të dielën, më 25 tetor.

Më 22 tetor, letrës iu përgjigj edhe kancelari austriak, Christian Stocker, i cili tha se Vjena nuk e konsideron sinjal të mirë kritikën ndaj Schiederit, i cili është nga Austria.

Duke folur për zgjedhjet që do të mbahen në Serbi më 25 tetor, zëdhënësi Wiegand tha se BE-ja po e ndjek nga afër procesin e ardhshëm të votimit.

“Zgjedhjet e lira, të ndershme dhe transparente janë në thelb të demokracisë evropiane. Ato duhet të organizohen në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare”, u shpreh ai.

Ndërkaq, ditë më parë, thirrje të ngjashme për zgjedhje të lira dhe të ndershme bënë edhe një grup senatorësh amerikanë nga dy partitë kryesore në Shtetet e Bashkuara.

OSBE-ja ka angazhuar disa qindra vëzhgues për të monitoruar zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Në Serbi, që nga mesnata, është në fuqi heshtja zgjedhore.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Pentagoni publikon grupin e shtatë të dosjeve për UFO-t, detaje mbi objektin misterioz

Pentagoni publikoi të premten një tjetër grup dokumentesh, videosh dhe imazhesh, duke shënuar zbulimin e shtatë në kuadër të përpjekjeve të qeverisë për të bërë...
16:01 | 23/10/2026

Melania Trump njofton marrëveshjen për armëpushim të përkohshëm mes Rusisë dhe Ukrainës në qytetin ukrainas Oleshky

Zonja e parë e SHBA-së, Melania Trump, njoftoi të premten një marrëveshje midis Rusisë dhe Ukrainës për të vendosur një armëpushim të përkohshëm në qytetin...
15:51 | 23/10/2026

Netanyahu njofton operacion ushtarak në Bregun Perëndimor: I ngjashëm nuk është parë që nga viti 1967

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi të premten se ushtria izraelite do të nisë një operacion në shkallë të gjerë dhe zhvendosje të banorëve palestinezë, në...
15:40 | 23/10/2026