Melania Trump ka arritur të ndërmjetësojë një armëpushim të përkohshëm mes Rusisë dhe Ukrainës në qytetin ukrainas të Oleshkyt, i cili do të hyjë në fuqi më 29 tetor. Lajmi është bërë i ditur nga Shtëpia e Bardhë, sipas së cilës të dyja vendet kanë rënë dakord të pezullojnë përkohësisht të gjitha veprimet ushtarake në qytet, për të lejuar hyrjen e ndihmave humanitare dhe përgatitjen e evakuimit të civilëve.
Sipas njoftimit, zonja e parë amerikane dhe një përfaqësues i saj kanë punuar drejtpërdrejt me drejtuesit e Rusisë dhe Ukrainës për të përcaktuar objektivat, procedurat teknike, afatet dhe kushtet e marrëveshjes. Shtëpia e Bardhë e përshkruan Melania Trump si “ndërmjetëse ekskluzive” të këtij armëpushimi.
“Situata në Oleshky është dramatike. Është një qytet në vijën e frontit, në prag të katastrofës”, deklaroi Melania Trump.
Sipas saj, banorët që kanë mbetur në qytet janë kryesisht të moshuar, të cilët kanë nevojë urgjente për kujdes shëndetësor, ilaçe, ushqim dhe ujë të pijshëm.
“Banorët kanë qasje të kufizuar në energjinë elektrike, jetojnë mes rrugëve të minuara dhe përballen rregullisht me sulme ushtarake”, shtoi ajo.
Në kuadër të marrëveshjes, përfaqësues civilë të Rusisë dhe Ukrainës do të vizitojnë banorët në shtëpitë e tyre për të vlerësuar nevojat që kanë.
Melania Trump bëri të ditur se personat që dëshirojnë të largohen nga qyteti do të marrin ndihmë për evakuimin dhe transportin drejt destinacionit që zgjedhin vetë.
“Banorët që dëshirojnë të evakuohen do të marrin mbështetje të koordinuar dhe transport drejt destinacionit që ata zgjedhin. Pres që disa të duan të shkojnë në Rusi dhe të tjerë në Ukrainë”, deklaroi zonja e parë amerikane.
Kievi ende nuk e ka konfirmuar marrëveshjen për armëpushim humanitar në qytetin ukrainas të Oleshkyt, të njoftuar nga Shtëpia e Bardhë pas ndërmjetësimit të zonjës së parë amerikane, Melania Trump.
Ndërkohë, komisioneri për të Drejtat e Njeriut në Parlamentin ukrainas, Dmytro Lubinets, i cili është marrë me këtë çështje, vazhdon të paralajmërojë për gjendjen kritike në qytet, që sipas tij ndodhet në prag të një katastrofe humanitare.
Lubinets deklaroi se Ukraina është shumë pranë përfundimit të përgatitjeve për evakuimin e civilëve që kanë nevojë të largohen nga Oleshky.
Sipas tij, problemi nuk është vetëm mungesa e ushqimeve dhe ilaçeve, por edhe fakti që banorët po humbasin jetën.
“Problemi nuk është vetëm mungesa e ushqimit dhe ilaçeve, por se njerëzit po vdesin”, tha ai.
“Si ukrainas, kemi bërë gjithçka që ishte e mundur për ta zgjidhur këtë çështje dhe tani jemi praktikisht në fazën përfundimtare për të realizuar evakuimin nga qyteti të ukrainasve që kanë nevojë të largohen”, deklaroi Lubinets.







Komente
Komento