Prerja e pishave shumëvjeçare pranë Fakultetit të Shkencave Humane në Korçë, ku pritet të ndërtohet Liceu Franko-Shqiptar i Shkencave dhe Inovacionit, ka ngritur shqetësime për ndikimin mjedisor dhe mungesën e transparencës mbi projektin.
Denoncimi është bërë nga Leonard Olli, drejtues i Fondacionit “Ndihmojmë Korçarët”, i cili kërkon që institucionet të sqarojnë arsyet e ndërhyrjes dhe të bëjnë publike dokumentacionin përkatës.
“Për mua është një masakër e pastër mjedisore dhe, për më tepër, po ndodh në kushtet e mungesës absolute të transparencës. Është një nga zonat pothuajse muzeale të qytetit, ndër mushkëritë e gjelbra që ndikojnë ende në ekosistemin e Korçës. E konsideroj jashtëzakonisht jetike ruajtjen e këtij ambienti”, u shpreh Olli.
Sipas aktivistit, punonjësit që po presin pemët i kanë thënë se ndërhyrja është kryer me urdhër të Bashkisë së Korçës.
Ai ngriti shqetësimin për mungesën e tabelave informuese mbi punimet dhe të të dhënave të qarta për pemët që do të priten, duke theksuar se qytetarët nuk janë informuar mjaftueshëm për projektin.
“Nuk ka absolutisht asnjë tabelë që të tregojë fillimin e punimeve dhe asnjë informacion për projektin apo pemët që do të priten. Sipas pedagogëve të universitetit, disa prej tyre janë shënuar me bojë të kuqe. Korça nuk ka absolutisht asnjë dijeni se çfarë po ndodh”, deklaroi ai.
Olli u bëri thirrje kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, dhe deputetëve të qarkut të Korçës, pavarësisht përkatësisë politike, që të interesohen për ndërhyrjen dhe të kërkojnë transparencë nga institucionet përgjegjëse.
“Zoti Niko Peleshi, i cili është njëkohësisht edhe deputet i qarkut të Korçës, duhet të interesohet menjëherë dhe të bëjë transparencë për atë që po ndodh në këtë pjesë të qytetit”, tha aktivisti.
I kontaktuar nga media, kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, është distancuar nga përgjegjësia për prerjen e pemëve, duke deklaruar se bëhet fjalë për një projekt të Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit shpalli në prill tenderin për projektin “Liceu Franko-Shqiptar i Shkencave dhe Inovacionit në Korçë”, me një fond limit prej rreth 633 milionë lekësh. Kontrata, me vlerë 435 milionë lekë, u lidh në korrik me bashkimin e kompanive “NDERTIMI” sh.p.k. dhe “NDREGJONI”. Megjithatë, sipas raportimit, mbetet e paqartë nëse kompanitë fituese kanë marrë lejen e ndërtimit dhe autorizimin për prerjen e pishave shumëvjeçare.
