
Eurodeputetja Anna Strolenberg ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me mundësinë e ndalimit të hyrjes në Bashkimin Evropian për qytetarët shqiptarë që marrin pjesë në protesta.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Strolenberg i ka cilësuar këto paralajmërime si të pavërteta, duke u bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që të mos bien pre e frikësimit dhe të mos heqin dorë nga ushtrimi i të drejtave të tyre demokratike.
“Jam informuar se shqiptarët po paralajmërohen nga Edi Rama se, nëse marrin pjesë në protesta, do t’u refuzohet hyrja në BE. Ky pretendim është i rremë!”, shkruan eurodeputetja.
Ajo thekson se qytetarët nuk duhet të lejojnë që deklarata të tilla t’i pengojnë të ushtrojnë të drejtën për tubim paqësor.
“Ju lutem, mos lejoni që pretendimet e rreme t’ju dekurajojnë nga ushtrimi i së drejtës suaj për t’u mbledhur në mënyrë paqësore”, shprehet Strolenberg.
Në mesazhin e saj, eurodeputetja shpreh gjithashtu shqetësimin për situatën në Shqipëri, duke u bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes për sigurinë e tyre.
“E di që situata është shqetësuese këto ditë. Qëndroni të sigurt!”, përfundon reagimin e saj Anna Strolenberg.

