Mbi 6.2 milionë euro subvencione u shpërndahen 5455 fermerëve

Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZhB), në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), ka përfunduar ekzekutimin e pagesave direkte për 5 mijë e 455 fermerë. Shuma totale e këtyre subvencioneve kalon 6.2 milionë euro.

Në njoftimin e publikuar më 23 tetor 2026, bëhet e ditur se nga pagesat kanë përfituar 690 fermerë të sektorit të blegtorisë, të cilëve u janë ndarë gjithsej 521 mijë e 215 euro.

Të lidhura

None found

Për mbështetjen e sipërfaqeve bujqësore janë përfshirë 4 mijë e 765 fermerë, ndërsa vlera e përgjithshme e pagesave për këtë kategori arrin në 5 milionë e 705 mijë e 211.89 euro.

Listat me emrat e përfituesve janë publikuar në uebfaqen zyrtare të AZhB-së. Fermerët mund të verifikojnë nëse janë pjesë e pagesave të realizuara përmes këtij linku: https://azhb-rks.net/sq/lista-e-perfituesve

AZhB ka bërë të ditur se procesi i pagesave do të vijojë edhe për përfitimet e tjera të planifikuara në kuadër të programit të subvencionimit.

Të dhënat zyrtare tregojnë se për këtë mbështetje financiare kanë aplikuar gjithsej 33 mijë e 460 fermerë. MBPZhR-ja dhe AZhB-ja kanë përsëritur angazhimin për përmbushjen e pagesave dhe përkrahjen e fermerëve, me synim avancimin e mëtejshëm të bujqësisë në Kosovë.


Shtuar më 23.10.2026 16:53