Policia e Tiranës ka arrestuar një 25-vjeçar, i dyshuar për vjedhjen me dhunë të portofolit të një 17-vjeçari, të cilin dyshohet se e ka kërcënuar me thikë dhe i ka shkaktuar dëmtime trupore.
Në procedim penal janë vënë edhe babai dhe motra e tij, pasi kundërshtuan punonjësit e policisë gjatë kontrollit të banesës.
Ngjarja është denoncuar më 20 tetor 2026, në rrugën “Hoxha Tasim” në Tiranë. Sipas policisë, 17-vjeçari ka kallëzuar se një person i panjohur i kishte vjedhur me dhunë portofolin, duke e kërcënuar me një mjet prerës, thikë, si dhe duke i shkaktuar dëmtime trupore.
Pas veprimeve hetimore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë identifikuar dhe ndaluar mbrëmjen e 22 tetorit 25-vjeçarin me inicialet F. M., i dyshuar për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
Në vijim të veprimeve procedurale, policia ka kryer kontrollin e banesës së të dyshuarit. Gjatë këtij procesi, babai dhe motra e tij kanë kundërshtuar punonjësit e policisë, me qëllim pengimin e kontrollit.
Për këtë arsye, dy familjarët janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për veprat penale përkatëse, sipas njoftimit të policisë.













