Vendosni fjalën kyçe....

Greqia ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç, ligji hyn në fuqi më 1 janar 2027


Parlamenti grek ka miratuar një ligj që ndalon përdorimin e platformave të rrjeteve sociale nga fëmijët nën moshën 15 vjeç. Sipas mediave greke, masa do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027 dhe synon të mbrojë shëndetin dhe sigurinë e të miturve nga pasojat e përdorimit të tepruar të rrjeteve sociale.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, deklaroi se kompanitë e rrjeteve sociale kanë rreth dy muaj e gjysmë kohë për të zhvilluar një sistem verifikimi të moshës së përdoruesve, duke garantuar njëkohësisht mbrojtjen e privatësisë së tyre.

Qeveria synon që platformat të sigurojnë zbatimin e kufizimit dhe të pengojnë aksesin e fëmijëve nën moshën e përcaktuar, sipas mediave greke.

Sipas autoriteteve greke, ndalimi synon të ndihmojë prindërit në kufizimin e kohës që fëmijët kalojnë para ekraneve dhe të frenojë përdorimin e vazhdueshëm të rrjeteve sociale.

Qeveria argumenton se këto zakone mund të ndikojnë negativisht në gjumin, përqendrimin dhe kohën që të miturit kalojnë me miqtë.

Greqia është ndër shtatë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që po bashkëpunojnë me Komisionin Evropian për gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta për verifikimin e moshës në platformat online.

Masa të ngjashme janë ndërmarrë edhe në vende të tjera. Australia u bë vendi i parë që miratoi një ligj për kufizimin e aksesit të të miturve në rrjetet sociale vitin e kaluar.

Ndërkohë, Franca miratoi një ligj të ngjashëm, por Këshilli Kushtetues i vendit e rrëzoi atë në muajin gusht.