Shqipëria ka nënshkruar marrëveshjen zyrtare për pjesëmarrjen në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) në Gaza. Ceremonia u zhvillua në ambientet e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, në Tiranë.
Marrëveshja u firmos nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji, dhe komandanti i ISF-së, gjeneralmajor Jasper Jeffers.
Në ceremoni morën pjesë edhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, si dhe ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Eric Wendt.

Në një reagim në rrjetet sociale, ministri Nufi theksoi se Shqipëria do të vijojë të mbështesë përpjekjet ndërkombëtare për paqe dhe siguri në rajon.
“Si anëtare themeluese e Bordit të Paqes, Shqipëria riafirmon angazhimin e saj për të kontribuar në përpjekjet ndërkombëtare për vendosjen e paqes, garantimin e sigurisë dhe krijimin e kushteve për një stabilitet të qëndrueshëm në Gaza”, u shpreh Nufi.
Nënshkrimi i marrëveshjes zyrtarizon pjesëmarrjen e Shqipërisë në këtë nismë ndërkombëtare, e cila synon të kontribuojë në stabilizimin e situatës së sigurisë në Gaza.


