Sport

Dinamo bëhet gati për Egnatian, blutë vuajnë në shtëpi

Dinamo do të luajë këtë të diel ndaj Egnatias, në një përballje që pritet të sjellë interes, duke parë edhe historikun e ndeshjeve mes dy skuadrave në kampionatin shqiptar, por edhe objektivave. Përpara sfidës së radhës, statistikat e përballjeve direkte në Superiore, kur Dinamo ka qenë skuadra pritëse, tregojnë një epërsi të Egnatias, e cila ka arritur të marrë më shumë fitore në këtë transfertë.

Që prej kohës kur dy ekipet kanë nisur të përballen me njëra-tjetrën në elitën e futbollit shqiptar, Dinamo dhe Egnatia janë ndeshur tetë herë në fushën e bluve. Bilanci i këtyre takimeve flet për pesë fitore të rrogozhinasve, dy suksese të Dinamos dhe një barazim. Shifra që tregojnë se Egnatia ka qenë një kundërshtar i vështirë për kryeqytetasit, edhe kur këta të fundit kanë pasur avantazhin e fushës.

Edhe bilanci i golave është në favor të skuadrës nga Rrogozhina. Në tetë përballjet e zhvilluara, Dinamo ka arritur të shënojë shtatë gola, ndërsa Egnatia ka gjetur rrugën e rrjetës në 11 raste. Një diferencë që pasqyron ecurinë e dy skuadrave në këto takime, ku miqtë kanë ditur të jenë më efikasë dhe të marrin rezultate pozitive. Megjithatë, për Dinamon ka edhe arsye për të besuar te një tjetër rezultat pozitiv. Në përballjen e fundit mes tyre në fushën e bluve, të zhvilluar më 2 maj 2026, kryeqytetasit triumfuan me rezultatin 2-0, duke ndërprerë serinë e rezultateve pozitive që Egnatia kishte regjistruar në këtë transfertë.

Për më tepër, Dinamo ka arritur të fitojë edhe një tjetër përballje, me rezultatin 2-1, duke treguar se mund të rivalizojë me sukses rrogozhinasit. Ndërkohë, vetëm një nga tetë takimet është mbyllur në barazim, me rezultatin 1-1, çka tregon se përballjet mes tyre kanë prodhuar përgjithësisht një fitues. Sfida e së dielës do t’i japë Dinamos mundësinë për të ngushtuar diferencën në bilancin e përgjithshëm të këtyre përballjeve në shtëpi, por edhe me kreun. Blutë do të synojnë të shfrytëzojnë faktorin fushë dhe të regjistrojnë një fitore ndaj një kundërshtari që historikisht u ka krijuar vështirësi.