Lajmi i fundit

LIVE/ Kërkojnë dorëheqjen e Ramës, vijon protesta para Kryeministrisë

Rama kërcënoi me ndalimin e hyrjes në BE të protestuesve, KE: Vendimet për kufizimin e lëvizjes u takojnë vendeve anëtare

Rama kërcënoi me ndalimin e hyrjes në BE të protestuesve, KE: Vendimet për kufizimin e lëvizjes u takojnë vendeve anëtare

17:23, 23/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Pas paralajmërimeve të kryeministrit Edi Rama për kufizimin e lëvizjes së lirë të personave të përfshirë në protesta të dhunshme, Komisioni Evropian thekson se vendimet për lejimin ose refuzimin e hyrjes në territorin e vendeve anëtare janë kompetencë e tyre, bazuar në ligjet në fuqi.

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi të mërkurën një paketë masash legjislative dhe administrative ndaj personave të përfshirë në protesta të dhunshme, mes të cilave edhe kufizimin e hyrjes së tyre në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

Ky paralajmërim bie ndesh me nenin 38 të Kushtetutës së vendit, e cila parashikon se askush nuk mund të pengohet të dalë lirisht jashtë vendit. Por sipas Komisionit Europian, vendime të tilla bien në kompetencën e vendeve anëtare.

I pyetur nga BIRN nëse është ligjërisht e mundur që t’u kufizohet hyrja në vendet e Bashkimit Evropian protestuesve, pa një vendim individual gjykate, dhe nëse BE-ja do ta konsideronte një praktikë të tillë në përputhje me të drejtat themelore, lirinë e lëvizjes dhe prezumimin e pafajësisë, Komisioni Europian u përgjigj se “këto vendime u takonin shteteve anëtare”.

“Vendimet për lejimin ose refuzimin e hyrjes në territorin e shteteve të veçanta anëtare të BE-së bien në kompetencën e shteteve anëtare përkatëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi të BE-së dhe atë kombëtar,” tha një zëdhënës i Komisionit.

Brukseli thekson se Shqipëria, si vend kandidat, duhet të respektojë legjislacionin kombëtar dhe detyrimet ndërkombëtare për masat që lidhen me lëvizjen e shtetasve të saj. Kjo vlen edhe për nismat që synojnë të kufizojnë lëvizjen e personave të përfshirë në veprimtari të dhunshme.

Në të njëjtin qëndrim, Komisioni nënvizon se “të marrësh pjesë në protesta paqësore është një e drejtë themelore në të gjitha vendet demokratike”, ndërsa shton se “dhuna nuk ka vend” dhe se autoritetet kombëtare janë kompetente për ruajtjen e rendit publik dhe zbatimin e ligjit, shkruan Reporter.al.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco