Dëmet pezull të kompanive të sigurimit po rriten me shpejtësi duke pasqyruar një tendencë shqetësuese.
Të dhënat zyrtare nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare, tregojnë se në fund të shtatorit vlera e dëmeve pezull në tregun e sigurimeve arriti në 94.5 milionë euro, duke shënuar një rritje me 9.14 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.

Kjo shifër dëshmon për një përkeqësim të pagesave nga ana e shoqërive të sigurimit.
Gjatë periudhës Janar-Shtator 2026, dëmet pezull vetëm në sigurimin e Jo-Jetës pësuan një rritje prej 10.04%, duke kapur vlerën absolute prej 85 milionë eurosh. Kjo rritje vjen si pasojë e proceseve të gjata gjyqësore për dëmet shëndetësore dhe kompleksitetit në vlerësimin e dëmeve të mëdha në pronë.
Ajo që bie sy është se kompani si Eurosig kanë pasur rritje të dëmeve pezull me mbi 37% në harkun kohor të një viti, gjë që tregon se presioni i dëmeve të reja të raportuara është rritur shumë më shpejt se ritmi i pagesave.
Nga ana tjetër, Albsig shfaqet si kompania me performancën më të mirë dhe më efikase në menaxhimin e dëmeve pezull për shkak të një raporti jashtëzakonisht pozitiv mes madhësisë së saj në treg dhe borxheve të prapambetura.
Albsig zë 19.55% të të gjithë tregut të sigurimit të Jo-Jetës në Shqipëri, duke qenë kompania e dytë më e madhe në vend, por ajo mban vetëm 4.05% të totalit të dëmeve pezull të tregut (vetëm 313,419 mijë lekë nga mbi 7.7 miliardë lekë në total), çka dëshmon se kompania ka një proces shumë efikas të mbylljes së dosjeve dhe pagesës së dëmeve.
Dëmet pezull
Dëmet pezull janë të gjitha ato dëme apo aksidente që janë raportuar nga klientët në kompaninë e sigurimit, por që nuk janë paguar ende deri në momentin që bëhet ky raport statistikor. Më thjeshtë, ato përfaqësojnë detyrimet ose borxhet e ardhshme që kompania e sigurimit e di që duhet t’i paguajë, por procesi nuk ka përfunduar.
Një dëm futet në kategorinë “pezull” për disa arsye kryesore. është në proces vlerësimi, pra aksidenti ka ndodhur, por ekspertët janë ende duke llogaritur faturën e saktë të dëmit.
Së dyti, është në proces gjyqësor, pasi klienti dhe kompania nuk bien dakord për vlerën e dëmshpërblimit dhe çështja ka shkuar në gjykatë. Pagesa bllokohet derisa të shprehet gjykatësi dhe së treti janë dëme të miratuara por të papaguara, ku kompania e ka pranuar dëmin dhe ka rënë dakord për vlerën, por shuma nuk është transferuar ende fizikisht në llogarinë e klientit për arsye procedurale apo afatesh ligjore.
Në kahun tjetër, dëmet e paguara operative nga Fondi i Kompensimit ranë me -43.05%, duke zbritur në 1.18 milionë euro.
Kjo rënie mund të jetë një shenjë e rritjes së ndërgjegjësimit për mjetet e paasiguruara, por të dhënat e dëmeve pezull tregojnë se vetë ky fond ka pasur një rritje prej 6.38% në dëmet e bllokuara në proces, duke arritur në 7.68 milionë euro. Kjo sugjeron se fondi thjesht ka ngadalësuar procedurat e pagesave gjatë këtij viti./kapitali.al












