Një person ka humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur, tre prej tyre në gjendje të rëndë, pas një sulmi me armë zjarri në periferi të Parisit, në Francë.
Ngjarja ndodhi të premten në zonat e Trappes dhe La Verrière, ndërsa autoritetet franceze po e hetojnë si një vepër të mundshme terroriste. Mes të plagosurve është edhe një vajzë 12-vjeçare, sipas BBC.
Sipas ministrit të Brendshëm francez, Laurent Nuñez, disa të shtëna nga një automjet në lëvizje u regjistruan fillimisht në Trappes, në jugperëndim të Parisit, dhe më pas në La Verrière.
Ngjarja zgjati rreth 15 minuta. Ministri deklaroi se bëhet fjalë për një krim terrorist, duke iu referuar vlerësimit të prokurorisë.
Prokuroria Kombëtare Kundër Terrorizmit në Francë ka bërë të ditur se ngjarja dyshohet të përbëjë vrasje në kuadër të një ndërmarrjeje terroriste. Motivi i sulmit mbetet ende i paqartë, ndërsa personi i dyshuar është arrestuar.
Kryetari i bashkisë së Trappes, Ali Rabeh, tha se i dyshuari kishte qëlluar me armë nga automjeti ndaj disa personave që ndeshte gjatë rrugës.
Sipas dëshmitarëve, ai lëvizte me një automjet Renault Clio gri dhe qëlloi në disa zona, përfshirë një pikë karburanti, një qendër mjekësore dhe një kënd lojërash, përpara se të largohej drejt La Verrière.
Një përfaqësues i sindikatës së policisë bëri të ditur se i dyshuari u ndalua në La Verrière, në rrugën kryesore N10 që përshkon qytetin. Autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar motivin e sulmit dhe rrethanat e plota të ngjarjes.
