Vendosni fjalën kyçe....

Samiti BE-Ballkani Perëndimor më 25 nëntor në Bruksel, Costa: E ardhmja e rajonit është në familjen evropiane


Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor do të mblidhen më 25 nëntor në Bruksel, në kuadër të Samitit BE-Ballkani Perëndimor.

Takimi do të përqendrohet te procesi i integrimit evropian, reformat që duhet të përmbushin vendet kandidate dhe forcimi i bashkëpunimit përballë sfidave të përbashkëta.

Bashkimi Evropian do të përfaqësohet nga presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Në një deklaratë për samitin, Costa riafirmoi mbështetjen e BE-së për anëtarësimin e vendeve të rajonit.

“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian. Anëtarësimi i tyre është përparësia jonë, ambicia jonë e përbashkët dhe një investim thelbësor gjeopolitik në këto kohë të trazuara. BE-ja është dhe do të mbetet partneri më i besueshëm i rajonit”, deklaroi Costa.

Në samit, udhëheqësit do të vlerësojnë përparimin në integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor me BE-në, veçanërisht përmes Planit të Rritjes, si dhe do të diskutojnë mënyrat për ta çuar më tej këtë proces. Një tjetër pikë e rëndësishme do të jetë nxitja e reformave nga vendet kandidate, si kusht për përparimin në rrugën drejt anëtarësimit.

Në fokus do të jenë gjithashtu sfidat e përbashkëta dhe mënyrat për të forcuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë e rajonit në një kontekst të ndërlikuar gjeopolitik. Samiti zhvillohet në kuadër të zbatimit të Axhendës Strategjike të Këshillit Evropian për periudhën 2024–2029.

Takimi i fundit mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor u zhvillua në fillim të qershorit në Tivat të Malit të Zi, ku mori pjesë edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama.