Arabia Saudite duket se po zgjeron fabrikën e saj të raketave balistike për të prodhuar raketa më të mëdha me karburant të ngurtë, të afta të arrijnë distanca më të largëta ose të mbajnë ngarkesa më të rënda.
Përfundimi bazohet në analizën e imazheve satelitore të kryer nga dy studiues amerikanë, raportoi Reuters më 23 tetor.
Studiuesit Sam Lair dhe Michael Duitsman, nga Instituti i Kërkimeve të Politikës së Jashtme (FPRI), analizuan pamjet e kompleksit në Al-Duwadimi, rreth 200 kilometra në perëndim të Riadit.
Sipas tyre, imazhet tregojnë një ndërtesë të re që mund të përdoret për prodhimin e motorëve të raketave, si dhe një objekt tjetër që mund të shërbejë për ruajtjen e përbërësve të karburantit ose pjesëve të përfunduara.
Ndërtesa e re është të paktën dy herë më e madhe se ajo që mendohet se strehon gropat ekzistuese të prodhimit. Studiuesit vlerësojnë se zgjerimi mund të synojë prodhimin e raketave më të fuqishme.
Sipas analizës së FPRI-së, objekti mund të jetë gati të nisë prodhimin që në fund të këtij viti, megjithëse instalimi i pajisjeve të nevojshme mund të kërkojë edhe disa muaj.
Ekspertët vlerësojnë se kompleksi mund të përdorë teknologji kineze. Arabia Saudite bleu fshehurazi nga Kina rreth 40 raketa balistike DF-3 me karburant të lëngshëm në vitin 1987, sipas një vlerësimi të deklasifikuar të CIA-s të vitit 1991.
Studiuesi Sam Lair tha se zgjerimi i uzinës mund të lidhet me prodhimin e raketave DF-21 me rreze më të gjatë veprimi, ose të një sistemi të ngjashëm. Uashingtoni ka kufizuar prej kohësh eksportet e sistemeve raketore me rreze të gjatë, çka besohet se e ka shtyrë Riadin drejt Pekinit.
Sipas Sascha Bruchmann, studiues në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS), raketat me rreze më të gjatë do t’i jepnin Arabisë Saudite mundësinë të godiste objektiva në Iran pa rrezikuar avionët luftarakë F-15 përballë mbrojtjes ajrore iraniane.
Edhe kompania e inteligjencës ushtarake Janes vlerësoi se ndërtesat e reja mund të tregojnë përpjekje për të zgjeruar kapacitetet e prodhimit ose për të zhvilluar raketa me rreze më të gjatë veprimi.
Zgjerimi mund të ndihmojë Riadin të frenojë sulmet e Iranit dhe të forcojë pozicionin e tij në konfliktin me rebelët Huthi në Jemen, të mbështetur nga Teherani. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se zhvillimi mund të nxisë një garë armatimesh në Lindjen e Mesme.
Analisti Decker Eveleth, nga organizata CNA, tha se vende të tjera të rajonit, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqinë, po ndërmarrin hapa të ngjashëm për të zgjeruar arsenalet e tyre ushtarake.
Zhvillimi mund të ndikojë edhe në marrëdhëniet me SHBA-në, ku ekziston kundërshtim ndaj një marrëveshjeje të mundshme bërthamore civile me Arabinë Saudite. Marrëveshja do t’i mundësonte Uashingtonit të ndihmonte Riadin të krijonte kapacitete për pasurimin e uraniumit për prodhimin e energjisë.
Kundërshtarët e marrëveshjes thonë se ajo nuk ofron garanci të mjaftueshme për të parandaluar përdorimin e fshehtë të këtyre kapaciteteve për prodhimin e armëve bërthamore. Arabia Saudite i ka mohuar planet për të zhvilluar armë të tilla.
Sipas imazheve satelitore të kompanisë Planet Labs, punimet në kompleks nisën në prill të vitit 2025. Në shtator të vitit 2026, çatia e ndërtesës së re ishte ende pjesërisht e papërfunduar, ndërsa muret mbrojtëse ishin projektuar për të kufizuar dëmet në objektet përreth në rast shpërthimesh aksidentale.
Ambasada saudite dhe Ministria e Informacionit nuk iu përgjigjën kërkesave të Reuters për koment. As autoritetet kineze dhe as Shtëpia e Bardhë nuk dhanë përgjigje, ndërsa CIA nuk pranoi të komentonte.
