Një plantacion i brendshëm me 1,206 bimë kanabisi, me vlerë të përllogaritur mbi 1 milion euro në tregun e paligjshëm, është zbuluar nga Karabinierët italianë në Coassolo Torinese, pranë Torinos. Në pranga ka përfunduar një shtetas shqiptar, banues në Asti, i dyshuar se kujdesej për kultivimin e bimëve.
Sipas raportimeve të mediave italiane, plantacioni ishte ngritur brenda një magazine të izoluar, në një zonë të rrethuar nga pyje dhe të vështirë për t’u arritur. Ambienti ishte pajisur me sisteme ndriçimi, ventilimi dhe ngrohjeje, të cilat siguronin kushtet e nevojshme për rritjen e bimëve, të gjetura në faza të ndryshme të lulëzimit.
Hetuesit kishin disa muaj që ndiqnin gjurmët e aktivitetit të dyshuar, ndërsa zbulimi u bë në kuadër të një hetimi më të gjerë për trafik droge dhe mbajtje të paligjshme armësh. Shqiptari i arrestuar u dërgua në burgun e Ivreas, ndërsa magazina dhe pajisjet e përdorura për kultivimin u sekuestruan.
Një element që tërhoqi vëmendjen e autoriteteve ishte konsumi i lartë i energjisë elektrike. Sipas vlerësimeve të teknikëve të rrjetit, impianti ishte lidhur në mënyrë të paligjshme me furnizimin me energji dhe konsumonte nga 80 deri në 100 kilovat-orë në ditë. Energjia përdorej për funksionimin e pajisjeve të ndriçimit, ajrimit dhe ngrohjes.
Hetimi nisi pas sekuestrimit të kokainës dhe armëve
Operacioni është pjesë e një hetimi të nisur në janar të vitit 2026 nga Njësia Hetimore e Komandës Provinciale të Karabinierëve të Astit, nën drejtimin e Prokurorisë së Republikës së Astit.
Në fokus të hetimeve është një grup personash me origjinë shqiptare, të dyshuar për trafik droge dhe mbajtje të paligjshme armësh. Sipas raportimeve, hetuesit po verifikojnë edhe lidhje të mundshme të aktivitetit të dyshuar me një lokal nate në qytetin e Astit.
Më 20 prill, gjatë kontrolleve në dy prona në dispozicion të një 47-vjeçari shqiptar, autoritetet sekuestruan rreth 22 kilogramë kokainë, pesë pistoleta, një silenciator artizanal dhe më shumë se 200 fishekë. Njëra prej armëve kishte numrin serial të fshirë, ndërsa u gjetën edhe materiale që dyshohet se përdoreshin për peshimin dhe paketimin e lëndës narkotike.
Hetimet vijuan në muajt pasues dhe, më 21 korrik, pesë persona të tjerë me origjinë shqiptare u identifikuan dhe u referuan për procedim penal për përfshirjen e dyshuar në aktivitetet që po hetohen.
Më 20 tetor, Karabinierët kryen 13 kontrolle të autorizuara nga autoritetet gjyqësore në Asti, në disa komuna të provincës dhe në Coassolo Torinese. Gjatë kontrolleve në banesat e personave nën hetim, në njërën u gjet një sasi e vogël lënde narkotike, ndërsa në një tjetër u zbuluan 100 fishekë për armë zjarri.
Zbulimi i plantacionit me mbi 1,200 bimë kanabisi përbën një tjetër zhvillim në këtë hetim, ndërsa autoritetet italiane po vijojnë punën për të përcaktuar rolin e secilit prej personave të dyshuar dhe lidhjet e mundshme mes kultivimit të drogës, trafikut të narkotikëve dhe armëve.


