Japin dorëheqjen tre drejtorë në varësi të Ministrisë së Financave, mes tyre drejtuesit e Doganave dhe Tatimeve
Tre drejtues të institucioneve në varësi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë kanë dhënë dorëheqjen, pas kërkesës së kryeministrit Edi Rama për largimin e drejtuesve të institucioneve shtetërore.
Bëhet fjalë për Besmir Bejën, drejtor i Përgjithshëm i Doganave, Ilir Binajn, drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, si dhe Etugert Llazin, drejtor i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB).
Besmir Beja e ka përfunduar detyrën këtë të premte, duke u përshëndetur me stafin pas nëntë muajsh në krye të Doganave.
Ndërkohë, kërkesa për dorëheqje ka përfshirë edhe drejtues të institucioneve në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Mes tyre janë administratorët e Albpetrolit, Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST) dhe Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), drejtuesi i Hekurudhës Shqiptare dhe drejtori i Përgjithshëm i Albcontrol.
Lëvizjet në administratën shtetërore vijnë pas kërkesës së raportuar të kryeministrit Rama drejtuar ministrave për të mbledhur drejtuesit e institucioneve në varësi dhe për t’u kërkuar dorëheqjet e parevokueshme.m.k



