Për gazetarin Basir Çollaku veprimet e policisë në dhunën brutale ndaj studentëve, shihen si pjesë e një grupi të strukturuar kriminale, një vepër penale që sipas tij është konsumuar publikisht tashmë.
Në një intervistë për edicionin e mbrëmjes në Syri Tv, Çollaku tha se policia është bashkëfajtore në dhunën e ushtruar ndaj të rinjve, përfshirë kryeministrin e vendit, ministrin e Brendshëm, drejtorin i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, me qëllimin e vetëm, ruajtjen e karriges së pushtetit të Ramës.
Sipas gazetarit, të gjithë po e shohin fytyrën e vërtetë të asaj stature kriminale që përcjell kryeministri i vendit në marrëdhënie me qytetarët e tij.
Madje për Çollakun, dhuna ndaj studentëve është rezultati zgjedhor i 2025-ës, se kush e prodhoi atë mandate dhe se kush e fitoi atë ndikim të krimit të organizuar në zgjedhje.
Padyshim që po, është një vepër e rëndë penale e konsumuar publikisht tashmë. Ajo çfarë të bën përshtypje është sepse i gjithë sistemi që po drejton kontrollin dhe varësinë nga kryeministri, duke konsumuar dhe ata elementë të veprës penale, janë prokurorë, janë njerëz të sistemit, sepse policia në këtë rast është bashkëfajtore. Nuk mund të themi që është palë e mosveprimit, ajo është pjesë e veprimit, e konsumit të veprës sepse është grup i strukturuar kriminal, do të thoja, ku bën pjesë natyrisht edhe kryeministri i vendit, ministri i brendshëm, drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit.
Janë këta individë të cilët janë target i një strukture të posaçme për t'u hetuar dhe nuk e kuptoj se si ende prokuroria speciale ka qëndruar duke vështruar yjet, duke vështruar se çfarë ndodh me jetën e njerëzve. Kjo nuk është një lojë shah apo të mbyllësh sytë, nuk është kalçeto, nuk është një skedinë 1x2 dhe cili prej tyre do të marrë rezultatin final. Ndaj ky lloj mosveprimi i fut edhe ata, i përfshin në një shkelje të rëndë ligjore, flas nga prokurorët dhe gjyqtarët, që duhet të kishin marrë masa emergjente. Paçka se për kryeministrin ne nuk jemi të befasuar, ngaqë përfshirja e tij në grupe kriminale, në organizata të trafikut të drogës, në pastrimin e parave nuk është më një lajm i ri.
Dhe pikërisht kjo është edhe arsyeja e dhunës dhe e sulmit barbar dhe kanibal që ai ushtron mbi protestuesit, mbi studentët, mbi të rinjtë, për mbajtjen e asaj karrige, për qëndrimin e prapashpinës së tij në atë karrige pushteti duke kontrolluar gjithçka shtetërore. Kjo dhunë ka marrë një hov dhe është vepër e rëndë penale në kuadër të torturës e ushtruar nga njerëzit e urdhëruar prej tij, jo vetëm në Shqipëri, por në dijeni janë të gjithë, edhe ndërkombëtarët, edhe kancelaritë, edhe kongresmenët amerikanë, senatorë, eurodeputetë. Të gjithë po e shohin fytyrën e vërtetë të asaj stature kriminale që përcjell kryeministri i vendit në marrëdhënie me qytetarët e tij.
Po shohin atë rezultat zgjedhor të 2025-ës se kush e prodhoi atë mandat, se kush e fitoi, atë ndikim të krimit të organizuar në zgjedhje siç e theksoi edhe raporti i OSBE-ODIHR vitin e shkuar. Janë të gjitha rezultatet tashmë në një hartë të përbashkët ku prej pesë muajsh shqiptarët po denoncojnë, qoftë në mënyrë paqësore prej disa muajsh me radhë ku indiferenca, ironia dhe shpërfillja e qeverisë dhe kryeministrit sollën më në fund revoltën. Pra vala e zemërimit pësoi një ndryshim, erdhi në një shkallë tjetër, dhe qytetarët nuk mund të jenë dëshmitarë dhe kontribuues e investitorë të një diktature të re. Dhe këtë radhë leksionin shqiptarëve po na e japin studentët dhe gjimnazistët, po na e jep rinia, në një përmasë dhe dimension të jashtëzakonshëm.
Është kjo rini që po bën një luftë për të shpëtuar Shqipërinë. Nëse do ta kemi atë nesër apo do jetë e asgjësuar, e shuar pa shqiptarë brenda, thjesht një hartë fizike trojesh, pa individë brenda. Kjo është beteja e saj, ku kushdo, pedagogë, mësues, familjarë, duhet të jenë në mbështetje të tyre. Neve besoj se nuk kemi të bëjmë me parti, po kemi të bëjmë me Shqipërinë, pra gjendja është emergjencë kombëtare. Nëse ne thonim dikur duke diskutuar për dosjet, përfshirjen, drejtësinë, tani jemi në një shkallë, në një betejë të rëndë ku njerëzit e inkriminuar, njerëzit e mafies janë në zyrat publike duke filluar nga kryeministri i vendit.
Janë ata që po bëjnë betejën për të mbajtur dhunshëm pushtetin, për të mbajtur dhunshëm privilegjet, për të ndihmuar portofolin kriminal që ata kanë sajuar bashkë me krimin e organizuar. Dhe si duan ta mbajnë këtë? Gjithmonë nëpërmjet dhunës, nëpërmjet elementëve kriminalë, dhe pyetja ime është: Prej këtyre njerëzve të maskuar, prej këtyre këmishëzinjve dhe bluzëzinjve që janë në institucione, që dalin nga dyert e saj, a ka vrasës aty? A ka ekzekutorë aty? A ka kriminelë aty? A ka banditë aty? Sepse nuk ka asnjë shenjë dalluese identifikuese në shumicën e këtyre trupave të cilët me hunj në dorë, me armë, me çdo gjë kriminale, janë lëshuar sikur të mos kenë bërë ndonjëherë betejë jashtë vendit, por po e bëjnë brenda vendit, për të shuar popullin e tyre.
Nuk ka kush e jep shpjegimin sepse, kush do ta japë shpjegimin? Rama që urdhëron? Ata që binden? Prokurorët që nuk veprojnë? Pra ne jemi në një rreth ku grupi i strukturuar ka nga një segment në secilin institucion. Nëse në selinë e Partisë Socialiste qëndrojnë patronazhistët e zyrës publike me hunj dhe me armë... po të them që përpara se të ndodhte incidenti mes protestuesve dhe selisë së Partisë Socialiste, brenda kësaj selie ka shkuar drejtori i Tiranës.
Janë harmonizuar veprimet me këta që duhet të ishin të pandehur. Në vendngjarje duhet të kishte shkuar brenda një ore prokurori, e duhet të kishte marrë të pandehur personat që gjenden brenda, duke kryer këtë vepër të rëndë penale. Pse mungojnë ata? Një grup i konsiderueshëm avokatësh me përgjegjshmëri të lartë kanë kallëzuar zyrtarët e lartë të policisë. Këta njerëz janë të lidhur me grupe kriminale sipas akuzave zyrtare të strukturës së posaçme. Kujt i binden këta? I binden ligjit apo kushtetutës? Në asnjë mënyrë jo!
Këta i binden një njeriu tashmë të çekuilibruar mendërisht. Kemi parë gjithë shpërthimet e tij në ditët e revoltës, duke çuar oficerë policie, maskat e zeza nëpër lagje, banesa, nëpër shkolla, duke kanosur në një mënyrë vërtet gjenocidi ndaj të rinjve. Ky është njeriu që duhet të ishte i pandehur brenda orësh, por ne presim që ai të largohet. Ai nuk ikën, ai duhet larguar dhunshëm. Shqipëria vlen më shumë se çdo lloj kryeministri. Dhe kjo revoltë rinore është ajo që të gjithë shqiptarët duhet ta mbështesin.
Tani vjen ai prezumimi i pafajësisë, pa një vendim të formës së prerë. Nxjerrja e të dhënave sekrete nëse është një procedim penal dhe ai i merr në konsideratë që t'i bëjë publike, apo vartësit e tij që i kanë servirur të dhëna sekrete, janë të gjitha shkelje të rënda ligjore për një kryeministër. Kur e bën këtë një kryeministër, që duhet të mbrojë çdo qytetar i cili nuk ka një vendim gjykate, ai ka marrë kompetencat e gjykatësit, të prokurorit, të policit, duke shuar pavarësinë e gjyqësorit.
Dhe çfarë bën? Duke akuzuar studentë ekselentë... ne pamë sot provën e degradimit që studenti ekselent i përcolli kryeministrit, ku dënimi i tij ishte nota 10 në të gjitha lëndët. Kjo është prova e fajësisë së kryeministrit dhe e pafajësisë së akuzave të tij. Kjo është një gjë e rëndë sepse në këtë mënyrë ai orienton policinë, prokurorinë dhe gjykatat. Dhe nuk është hera e parë që e ka bërë këtë.
© SYRI.net
Kongresmeni Jim McGovern: Qeveria t’i japë fund dhunës ndaj protestuesve dhe të dëgjojë qytetarët
VIDEO/ Bushati: Rama po mashtron për protestuesit, rasti i studentit tregon se i ka dalë situata jashtë kontrollit
Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm thirrje sipërmarrësve: Ulni qepenat, bashkohuni me studentët në protesta!