Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka publikuar në Facebook një video të pedagogut Ermal Hasimja, duke e shoqëruar me një koment ironizues për qëndrimin e tij ndaj dialogut.
“Ai momenti kur pronari universitetit/shkollës, një kohësisht kryetari i Forumit për Dialog del kundër dialogut”, shkruan Balla, duke ironizuar qëndrimin e Hasimes.
Por ironia e kreut të grupit parlamentar të PS-së nuk ka kaluar pa përgjigje. Hasimja ka reaguar më pas, duke u ndalur te gabimet drejtshkrimore në postimin e Ballës.
“Si fillim shtohet një ‘i’ përpara ‘universitetit’. Pastaj shkruhet ‘njëkohësisht’ dhe jo ‘një kohësisht’. ‘Dmth’ shkruhet ‘d.m.th.’. Për mbyllje, në fund të çdo fjalie vendoset një pikë”, shkruan Hasimja, duke ia korrigjuar publikisht shkrimin Ballës.
Në rrugë vijojnë protestat e qytetarëve dhe studentëve, të cilët kërkojnë dorëheqjen e Ramës. Në një situatë ku protestuesit këmbëngulin te largimi i kryeministrit, ndërsa përballen me gaz lotsjellës dhe shkopinj gome, mbetet pikëpyetje se çfarë hapësire ka për dialog, kur kërkesa e tyre është e qartë.













