Friday / October 23 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Bota Lajmet Kryesore Teknologji

Mos lejoni që IA të vrasë autorin

Share Share Icon

Rreziqet e teksteve të krijuara nga makineritë

 

Nëse The Economist do të kishte vetëm dy parime të panegociueshme, ato me shumë gjasa do të ishin shkrimi cilësor dhe “shkatërrimi krijues”. Deri më sot, këto të dyja rrallë kishin rënë ndesh me njëra-tjetrën, derisa modelet e Inteligjencës Artificiale nisën të shkruanin.

Tashmë, tekstet e krijuara nga IA po fitojnë çmime letrare, po zënë vend në faqet e opinioneve dhe, siç raportojmë këtë javë, po shkruajnë edhe fjalët që dalin nga goja e politikanëve.

Një në dhjetë fjalë të shqiptuara në debatet parlamentare në Britani dhe një në shtatë në Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA ka të ngjarë të jetë shkruar me ndihmën e IA-së.

Kur bëhet fjalë për fjalën e shkruar, asnjë shkrimtar nuk mund të jetë palë neutrale. The Economist ka mbështetur përparimin teknologjik për gati dy shekuj.

Do të ishte e pavend që pikërisht tani të ktheheshim në kundërshtarë të teknologjisë, vetëm sepse automatizimi ka mbërritur në pragun e profesionit të gazetarit. E megjithatë, si shkrimtarët, ashtu edhe lexuesit duhet të tregohen të kujdesshëm përpara se t’ia dorëzojnë penën IA-së.

Duhet pranuar se ka lloje shkrimesh ku marrja përsipër e punës nga IA do të ishte e mirëpritur: për shembull, ankesat drejtuar shërbimit ndaj klientit apo dokumentet teknike, ku qartësia është ajo që ka më shumë rëndësi.

Në raste të tilla, thelbësore është që përdorimi i IA-së të bëhet i ditur dhe që personi emri i të cilit figuron në tekst të vazhdojë të mbajë përgjegjësi për përmbajtjen. Shkrimtarët e çdo fushe do t’u bënin një shërbim të keq lexuesve nëse nuk do t’i përdornin modelet e IA-së për kërkime, korrigjimin e tekstit dhe, kur është e përshtatshme, për të marrë sugjerime.

Por në fusha të tjera, në romane, fjalime dhe madje në artikuj lajmesh, heqja dorë nga autorësia njerëzore do të ishte gabim. Për momentin, ankesa më e zakonshme ndaj shkrimeve të krijuara nga IA lidhet me ngathtësinë e vetë tekstit. Por ky argument nuk qëndron mbi baza shumë të forta.

 

Forma dhe mesazhi

Çdo argument serioz kundër shkrimit me IA duhet, për rrjedhojë, të mbështetet tek ajo që i dallon fjalët nga një produkt i zakonshëm: aftësia e tyre për të përcjellë kuptim dhe domethënie përtej asaj që shfaqet në faqe.

Procesi i të shkruarit priret të jetë i mundimshëm, madje edhe për shumë prej atyre që e bëjnë këtë punë për të jetuar. Por një pjesë e madhe e kësaj vështirësie është në të vërtetë vështirësia e të menduarit, e qartësimit dhe e konkretizimit të mendimeve përmes fjalëve. Shmangia e këtij procesi është një rrugë e sigurt drejt një mendimi njerëzor më pak rigoroz dhe, aq më tepër, më pak origjinal.

Studentët që ia lënë Claude-it shkrimin e eseve të tyre rrezikojnë të humbasin zakonin e arsyetimit. Politikanët që ia besojnë IA-së formulimin e argumenteve të tyre mund të jenë më pak të vetëdijshëm për pasojat e asaj që thonë.

Një tjetër shqetësim i madh lidhet me ata që konsumojnë fjalën e shkruar, lexuesit. Tekstet e krijuara nga IA cenojnë disa prej pritshmërive mbi të cilat është ndërtuar kultura e të shkruarit dhe lexuarit.

Një tekst i shkruar nga një njeri kërkon më shumë kohë për t’u krijuar sesa për t’u lexuar. Kjo ofron një lloj garancie, në mos për cilësinë – bota vazhdon të jetë e mbushur me shkrime të dobëta – të paktën për përpjekjen e bërë.

Dikush, diku, ka menduar se kishte diçka që ia vlente të thuhej. Ekonomistët do ta quanin këtë një “sinjal me kosto”: fakti që është investuar kohë dhe përpjekje i jep peshë vetë aktit të komunikimit.

Pavarësisht se çfarë mund të thonë teoricienët francezë për “vdekjen e autorit”, lexuesit ende duan të dinë se fjalët që kanë përpara janë shkruar nga një njeri.

Marrim poezinë si shembull. Edhe disa vite më parë, kur IA ishte shumë më pak e fuqishme se sot, studiuesit kishin zbuluar se në testet ku pjesëmarrësit nuk e dinin nëse poezitë ishin shkruar nga njerëzit apo nga IA, shumë prej tyre parapëlqenin vargjet e krijuara nga makineritë.

Por kuptimi i një poezie mbështetet edhe mbi bindjen se atë e ka shkruar një njeri dhe, rrjedhimisht, se fjalët e saj kanë pasur një domethënie të caktuar për dikë.

Edhe kur IA nuk është përdorur, përhapja e saj mund të ndikojë negativisht në përvojën e lexuesit. Gjatë leximit, dikush mund të ndeshë një formulim që tingëllon i dyshimtë, si i krijuar nga një makineri dhe, për këtë arsye, të heqë dorë nga pjesa tjetër e tekstit.

Ose përhapja e materialeve të rreme të krijuara nga IA mund t’i bëjë njerëzit mosbesues edhe ndaj lajmeve të vërteta.

Në ekonomi, ndotja në këtë mënyrë e mjedisit të informacionit do të quhej një “eksternalitet”: një kosto që krijohet nga një veprim, por që përballohet edhe nga të tjerët.

Teknologjia do t’i ndryshojë shumë prej këtyre normave. IA ofron gjithashtu mundësi të jashtëzakonshme, shumë prej të cilave ende nuk mund t’i kuptojmë plotësisht.

Megjithatë, shoqëritë liberale nuk i përballojnë ndryshime kaq të mëdha duke iu dorëzuar në mënyrë pasive teknologjisë, por duke u përshtatur me të.

Shtypshkronja kontribuoi në trazirat dhe luftërat fetare në Europën e fillimit të epokës moderne. Në vitet 1930, radioja u shoqërua me ngritjen e fashizmit. Sot, pak njerëz i lidhin këto dy teknologji me pasoja kaq dramatike.

Shoqëritë po përballen gjithashtu me shumë teknologji të tjera që sjellin rreziqe, nga ushqimet me përmbajtje më të lartë yndyre deri te drogat e paligjshme gjithnjë e më të fuqishme.

Prandaj, do të ishte arrogante të përpiqeshim të përcaktonim me saktësi se si duhet ta trajtojnë shoqëritë përdorimin e IA-së në procesin e të shkruarit në të ardhmen.

Por çdo shkrimtar e di se duhet filluar me një variant të parë.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

“Qeveria po përpiqet të fitojë kohë, por protestat do të rikthehen”

Flet Ermal Hasimja, Politolog dhe pedagog   Qeveria po përpiqet të fitojë kohë përballë protestave, por kjo strategji nuk pritet të sjellë zgjidhje...

7 minutes më parë 5 Min Lexim

Kosova investon më shumë në Shqipëri se anasjelltas  

Kompanitë e Kosovës po investojnë dukshëm më shumë në Shqipëri sesa bizneset shqiptare në Kosovë. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, inv...

9 minutes më parë 8 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!