Protestat studentore në Tiranë janë shoqëruar me përplasje të forta dhe dhunë të pajustifikuar nga segmente të Policisë së Shtetit. Goditje me shkopinj gome, gaz lotsjellës i pandërprerë, spraj me piper përballë kujtdo që ndodhej në shesh, dhe arrestime në masë pa asnjë lloj filtri, kanë qenë rendi i ditës i punës së policisë për të shpërndarë protestën.
Opinionet për forcën e treguar nga policia janë të ndryshme, ndërkohë që specialistët, ish-punonjës policie, janë të qartë dhe të prerë në një pikë:
Policia ka tejkaluar kompetencat.
Për Urim Gjatën, ish-punonjës policie, pamjet e ditëve të fundit nuk janë thjesht një reagim i tepruar në terren. Ai thotë se në këto protesta po shfaqet një polici që ka humbur kontrollin. Prej 35 vitesh larg Shqipërisë, ai e sheh atë që po ndodh sot me sytë e dikujt që dikur ka qenë vetë pjesë e uniformave blu.
Gjata u largua nga Shqipëria në momentet delikate të tranzicionit të një Shqipërie të sapodalë nga diktatura.Për të shpjeguar pse e konsideron këtë dhunë të papranueshme, ai kthehet pas në kohë, kur policia ishte ende e lidhur ngushtë me sistemin e vjetër.
Por përtej krahasimit me të kaluarën, çfarë e dallon një punonjës policie që zbaton ligjin nga një mercenar me uniformë që e përdor forcën si përgjigje ndaj protestës?
Sadetin Fishta, ish-drejtues i lartë i Policisë së Shtetit dhe aktualisht drejtues i sindikatës së punonjësve të policisë, e dënon dhunën që po përdoret. Kjo çfarë po ndodh në bulevardin e Tiranës, nuk e përjashton përgjegjësinë e uniformave blu për veprimet e saj.
Përkundrazi, sipas tij, përdorimi i forcës është bërë në kundërshtim me ligjin.
Që të jemi të qartë, çështja nuk është nëse policia duhet të ndërhyjë, por si dhe deri ku mund të shkojë kjo ndërhyrje.Ndërkohë që grupe protestuesish të dhunshëm sulmojnë policinë, kjo e fundit po përdor pa hesap të gjitha mjetet e mundshme, pa u kufizuar aspak në ushtrimin e forcës, edhe pse shpesh gjen përballë persona të pambrojtur që janë aty thjesht për të protestuar.
A mund të konsiderohen veprime disproporcionale këto të segmenteve të Policisë së Shtetit?
Ajo çfarë ka rënë në sy këto ditë protestash, është shfaqja në terren e efektivëve që nuk identifikohen, punonjës pa numra dallues apo automjete pa targa.
Për ish-policin Gjata, problemi nuk nis e mbaron te efektivi që ngre shkopin. Ai e sheh dhunën si pjesë të një problemi shumë më të thellë që përfshin të gjithë sistemin. Ish-polici tregon se përballja me urdhrat për të goditur protestuesit nuk është diçka e panjohur. 35 vite më parë, kur ishte vetë pjesë e policisë, ai thotë se u gjend përpara një momenti delikat.
Nëse policët do të ulen në shesh dhe do të japin dorëheqjen, besojeni se do të bjerë e gjithë kupola. Nuk do të vdesin për bukë.Në fakt, largimi nga policia nuk është aq i thjeshtë sa duket.Dy njerëz që e njohin policinë nga brenda, por nga pozicione të ndryshme, bashkohen në një pikë: përdorimi i forcës nuk mund të jetë i pakufizuar dhe uniforma nuk mund të shërbejë si mburojë për shkeljet e ligjit.
Por ka edhe diçka që duhet sqaruar. Sipas Fishtës, 2500 euro nuk është shpërblim i policëve, por pagesa për orët shtesë që nga dita e parë e tubimeve, të cilat kanë nisur në muajin maj.
© SYRI.net