Të martën e datës 20 tetor, pas thirrjes së Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë, në orën 10:00 në sheshin “Italia” u mblodhën mësues e pedagogë nga të gjithë universitetet e Tiranës, në mbështetje të protestës së studentëve shqiptarë.
“Ky grumbullim duhet të simbolizojë dhe simbolizon besoj mbështetjen e fuqishme për studentët tanë. Ne i jemi borxhlinj studentëve sepse nuk i mbështetëm aq sa duhet në vitin 2018”, tha studiuesi Enver Bytyçi.
“Gjëndja në universitete për fat të keq nuk është ajo që pritej, ajo që dëshirohet. Ajo që duket akoma më keq, është se këtu ka humbur shpresa, auditorët tanë po boshatisen. Ne çdo vit presim dhe marrim gjithmonë e më pak studentë, pra ne po shuhemi, jo vetëm si komb në tërësi, por mbi të gjitha universitetet, dhe po u shuan universitetet, po u shuan studentët, rinia, atëherë humbet e ardhmja e këtij vendi”, shtoi profesori i gjeografisë, Dhimitër Doka.
Pedagogu Bytyçi theksoi se të gjithë duhet të jenë në mbështetje të studentëve, me të gjitha mjetet, duke bërë dhe propozimin e tij.
“Sot duhet të miratojmë një dokument në të cilin i vendosim disa caqe qeverisë, Policisë, strukturave të dhunës dhe t’i paralajmërojmë që nëse përdorin sërish dhunë ndaj studentëve, pedagogët në mbrojtje të studentëve duhet të fillojnë një grevë urie”.
Profesori Lush Susaj komentoi edhe episodet e dhunshme nga ana e Policisë ndaj studentëve.
“E merrte polici studentin e tërhiqte zvarrë aty te Parku Rinia dhe i binte me shkopin e gomës. Ai thoshte “mos më gjuaj se po më dhemb, jam i vogël mos më gjuaj aman”. Nuk kishte mëshirë fare polici. Këta janë më zi se policët e Komunizmit, sepse ky kur fëmija i drejtohet “mos më godit mos më rrih, jam i sëmurë, mos se jam i vogël o xhaxhi”, ai i binte më shumë në femur. Ai shkopi i hekurit mund t’i thyejë edhe kockën, prandaj nuk është mirë. Edhe në luftë kur tjetri të është shtrirë i ka rënë të fikët te këmbët nuk mund ta gjuash që t’i thyesh këmbët. Unë nuk kam qenë polic, por për nder të familjes edhe fëmijën e hasmit nuk e kisha goditur ashtu”, shpreh ai.
Sipas mësueses Mirela Berisha, këto akte dhunë ndikojnë negativisht tek adoleshentët.
“Punojmë me adoleshentë çdo ditë, kalojnë trauma dhe për gjëra më të thjeshta se sa të goditen me shkopa gome. Janë në një moshë kur përjetimet janë komplet të ndryshme, të jashtëzakonshme dhe aq më tepër kur ne shohim skena të tmerrshme, përplasen në tokë, goditen në kokë, goditen me plumba gome, totalisht e palejueshme”.
Nga ana tjetër, pa anashkaluar këto episode, pedagogu Zylyftar Bregu e vuri theksin tek ndërprerja e punës në Universitete.
“Universitetet shqiptare e kanë ndaluar punën. Dhe ky është një dimension shtesë i protestës që e vështirëson situatën, sepse studentët nuk janë më në auditore. Një pjesë janë në protestë, një pjesë janë largur pasi janë bërë merak prindërit dhe ky është një problem. Unë shpresoj që kjo situatë të zgjidhet sepse nëse zgjat krijohet një zbrazëti e madhe në normalitetin e universitetit, e cila duhet të mbushet pastaj, por krijon pasoja”.
Mësuesit komentuan edhe deklaratat e kryeministrit Rama, i cili kërcënoi mësuesit dhe prindërit për fëmijët që do të dilnin në protestë.
“Kryeministrit të një vendi nuk i lejohet që të ushtrojë presion as mbi mësuesit dhe as mbi prindërit. Nëse nxënësi shkon për të protestuar është e drejta e tij të protestojë. Mësuesi nuk mund të bëjë policin, është mësues”, tha mësuesja Mirela Berisha.
“Një pjesë e madhe e pedagogëve janë persona me integritet dhe nuk e llogarisim atë pjesën e presionit nga pushteti, por ka dhe një kategori që mund të jenë edhe prindër edhe profesorë të cilët mund ta ndjejnë këtë gjë, personalisht nuk e ndjej”, shtoi pedagogu Bregu.
© SYRI.net