
Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, propozoi të premten zhvillimin e bisedimeve mes Turqisë, Italisë, Egjiptit dhe Libisë për çështje që lidhen me shelfin kontinental të këtyre vendeve. Ai shtoi se Ankaraja është e gatshme të diskutojë shqetësimet e Kajros lidhur me marrëveshjen turko-libiane për të drejtat detare.
Fidan shprehu habi për reagimet e shkaktuara nga ratifikimi i marrëveshjes këtë javë nga administrata në Libinë lindore, shtatë vjet pasi autoritetet rivale në Libinë perëndimore kishin nënshkruar marrëveshjen me Turqinë. Ai argumentoi se pakti është tashmë ligjërisht në fuqi dhe akuzoi Greqinë se po përpiqet ta minojë atë brenda Bashkimit Evropian.
“Ne mund t’i shohim qartë veprimet e Greqisë në nivelin e Bashkimit Evropian”, tha ai. “Kjo është e kuptueshme.”
Fidan propozoi gjithashtu zhvillimin e një dialogu me Egjiptin, ku të merrnin pjesë edhe vende të tjera të interesuara.
“Turqia, Italia dhe Egjipti mund të ulen në të njëjtën tryezë dhe të diskutojnë se cilat çështje përbëjnë shqetësim për Egjiptin dhe cilat për Libinë”, tha ai, duke shtuar se këtë qëndrim, i cili është edhe qëndrimi i presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, ia ka përcjellë homologut të tij egjiptian, shkruan Ekathimerini.