Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

Piranjat/ Në vijën e parë të protestës, studentët që kthehen në shpëtimtarë të të lënduarve

22:21, 23/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kjo protestë studentore ka edhe një anë më pak të dukshme, por po aq të rëndësishme. Ndërsa në rrugë studentët përballen me policinë, në terren është improvizuar ndihma e shpejtë.

Dhjetëra studentë dhe aktivistë kujdesen për protestuesit e lënduar nga gazi lotsjellës dhe goditjet. Madje, ndihmë kanë marrë edhe efektivë policie.

Skuadra vullnetare e nis aktivitetin në Rrugën e Durrësit, që në orët e para të protestës, dhe më pas shpërndahet në disa pika, sipas vendit ku ka më shumë nevojë. Studentë të profileve të ndryshme koordinohen për të siguruar materiale dhe për të ndërruar turnet.

 “Jemi mbledhur një grup i madh studentësh nga profile të ndryshme, kemi komunikuar me njëri-tjetrin dhe jemi koordinuar se kush vjen e kush ndërron turnin. Kemi sjellë ndihma”- thotë Rebeka, vullnetare.

Në tavolinat e tyre ka ujë fiziologjik, garza, fasha, leukoplast, maska, doreza dhe materiale të tjera për ndihmën e parë. Një pjesë sigurohet nga vetë studentët, ndërsa të tjerë ndihmohen nga qytetarë, farmaci dhe klinika. Një ambient pranë Ministrisë së Arsimit u është lënë në përdorim pa pagesë.

 “Ka njerëz që vijnë për ujë fiziologjik ose maska, por kemi pasur edhe raste me plagë të tjera. Mund të jenë rreth dhjetë persona në ditë, plus-minus. Ne dalim edhe në terren dhe ndihmojmë kudo ku ka nevojë.”

Për rastet më të vështira, grupit i bashkohen studentë të mjekësisë dhe mjekë. Vullnetarët thonë se shpërndajnë edhe maska mes protestuesve, por sasia e gazit lotsjellës shpesh e bën të vështirë mbrojtjen.

“Kemi pasur raste kur, sapo kemi dalë për të ndihmuar njerëzit, është hedhur gaz. Mua më ka kapur një plumb gome te kapela, kur dola në terren. Fatmirësisht nuk u dëmtova.”

Vullnetarët thonë se janë përballur edhe me dhunë, ndërsa përpiqeshin të ndihmonin të lënduarit. Një student tregon se policia i hodhi sprej piper në qafë teksa po mjekonte një protestues që po i dilte gjak. Megjithatë, grupi këmbëngul se ndihma nuk bëhet me dallime dhe u jepet të gjithëve që kanë nevojë.

Këta të rinj janë gati të dalin mes protestuesve, të shpërndajnë maska e të japin ndihmën e parë, edhe kur situata bëhet e rrezikshme. Gatishmërinë e kësaj skuadre e provoi edhe kolegia jonë Jonida Mukja, e cila mori ndihmën e parë pasi u qëllua me plumb gome.

 “Nga njëra anë, ajo që kam parë këto ditë më ka bërë të ndihem keq për pikën ku kemi arritur. Por, nga ana tjetër, kam parë dashamirësinë e shqiptarëve dhe gatishmërinë për të ndihmuar njëri-tjetrin” - përfundon vullnetarja.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco