“Kriza politike do të zgjasë, zgjidhja varet nga përgjigjja e SPAK-ut”

Flet Afrim Krasniqi, Politolog
Kriza politike në vend pritet të zgjasë, ndërsa zgjidhja e saj do të varet më shumë nga veprimet e SPAK-ut sesa nga përmasat e protestave, vlerëson politologu Afrim Krasniqi. Në një intervistë për “Monitor”, ai argumenton se qeveria ka zgjedhur të përballojë presionin e momentit, në vend që të adresojë shkaqet e pakënaqësisë publike.
Sipas z. Krasniqi, kryeministri Edi Rama nuk ka gjasa të japë dorëheqjen, ndërsa shumica parlamentare nuk e garanton rikthimin e besimit të qytetarëve.
Ai e cilëson situatën një krizë politike dhe jo shtetërore, duke theksuar se institucionet vijojnë të funksionojnë, por besueshmëria e tyre është dobësuar. Z. Krasniqi paralajmëron se pa veprime konkrete të drejtësisë dhe ndryshime në mënyrën e qeverisjes, vendi rrezikon të përballet me një krizë të zgjatur të përfaqësimit politik.
Zoti Krasniqi, si e vlerësoni mënyrën se si qeveria po e menaxhon krizën aktuale politike dhe protestat në Tiranë? A shihni një strategji për zgjidhjen e situatës apo kryesisht për ruajtjen e kontrollit politik?
Mendoj se ka dy mënyra se si një qeveri e drejton kur ka një krizë politike dhe protesta.
E para është aftësia për të kuptuar mesazhin që qytetarët e pakënaqur shprehin dhe për ta kanalizuar atë përmes institucioneve dhe për të parandaluar jo vetëm për të zgjidhur situatën për momentin, por edhe për të parandaluar që situata të tilla të mos përsëriten më.
Mënyra e dytë është të gjejmë një mekanizëm me të cilin mund ta kalojmë pikën e vlimit, domethënë momentin politik dhe për të shpresuar pastaj që me kalimin e kohës gjërat të harrohen.
Kam përshtypjen se qeveria aktuale ka zgjedhur formën e dytë. Vetë fakti që kryeministri ndërhyn me retorikë të ashpër duke shpërblyer policinë kundër studentëve apo duke parashikuar një paketë masash drastike dhe duke mobilizuar nga ana tjetër partinë në pushtet, do të thotë se është qasje e gabuar e menaxhimit të krizës.
Kryeministri Edi Rama ka përjashtuar dorëheqjen dhe ka mbajtur një qëndrim të prerë ndaj protestave. Çfarë tregon kjo qasje për mënyrën e ushtrimit të pushtetit dhe menaxhimin e krizave politike?
Në lidhje me dorëheqjen, unë nuk mendoj që zoti Rama do të jetë ndonjëherë i gatshëm të japë dorëheqjen. Ai mund të largohet për shkak të një krize shumë të thellë dhe përshkallëzimi, ose për shkak të humbjes së zgjedhjeve, por ai nuk është individ, që jep dorëheqjen.
Ai nuk e ka provuar asnjëherë dorëheqjen në jetën e tij, në asnjë nga pozitat dhe pavarësisht karrierës. Dhe po ashtu, ai ka kuptuar që e ardhmja e kryeministrit të Shqipërisë, sidomos kur qëndron gjatë në pushtet dhe kur je pjesë e akuzave të ndryshme, një ditë do të përfundojë në SPAK edhe për shkak se tre kryeministrat e fundit, Nano, Meta dhe Berisha kanë përfunduar në SPAK.
Dhe duke ditur këtë, ai dëshiron ta konsumojë sa më gjatë dhe sa të jetë mundur qëndrimin në pushtet, në mënyrë që përmes qëndrimit në pushtet deri diku të parandalojë edhe hetimet e mundshme ndaj tij. Kështu që nuk mendoj se ka ndonjë projekt për të qeverisur Shqipërinë, por më shumë ka një projekt personal për të mbijetuar përmes qeverisjes. Ky është rasti tipik edhe nga mënyra se si ai po sillet sidomos në mandatin e katërt.
A po përballet Shqipëria me një krizë të përkohshme politike apo me një problem më të thellë të përfaqësimit dhe besimit të qytetarëve te institucionet?
Unë nuk mendoj se kemi të bëjmë me një krizë shtetërore. Ky është dallimi i madh nga vitet ’97 edhe ’91. Është krizë politike më shumë se shtetërore. Do të thotë, kemi Parlament, kemi qeveri, kemi president, kemi gjykata, tatime, dogana, kemi sistem funksional administrativ, kemi universitete, kemi shkolla dhe gjithçka tjetër.
Ai që mungon është besimi publik tek institucionet dhe vendimmarrja institucionale. Nga ana tjetër ka një përshkallëzim të pakënaqësive, masive te vendimmarrja, te politika. Kështu që e shoh më shumë si krizë politike, është më shumë mosbesim politik sesa mosbesim shtetëror.
Qytetarët që janë kundër besojnë se Shqipëria duhet të ketë një shtet të së drejtës dhe shtet funksional.
Prandaj mendoj që një krizë politike duhet gjithmonë të zgjidhjet me mjete politike. Këtu nuk kemi të bëjmë me një krizë ditore, por e shoh si një krizë të qëndrueshme dhe afatgjatë, pavarësisht nëse do të të përkthehet kjo në protesta apo jo.
Fakti që qytetarët protestuan katër muaj, kjo është unike në historinë e shtetit shqiptar dhe shoqërisë shqiptare.
Kjo tregon se ka një brez tjetër, ka një kulturë tjetër politike, ka një vetëdije të një grupi qytetarësh dhe sa më shumë zgjerohet numri i tyre, aq më demokratik bëhet dhe vendi, sepse përdoren mekanizmat demokratikë të shprehjes së pakënaqësisë. Ky është dallimi i madh i kësaj gjenerate me gjeneratën e kaluar.
Sa efektive është strategjia e qeverisë përballë pakënaqësisë publike? A mund të funksionojë një qasje që mbështetet te qëndrueshmëria e shumicës parlamentare, pa adresuar shkaqet e protestave?
Që në qershor qeveria duhet të kishte një reagim ndryshe. Ka pasur debate në mazhorancë nëse do duhet kishte një paketë reformash dhe ndryshimesh apo duhet vegjetuar derisa të zgjaste mandati katërvjeçar i legjitimit të qeverisjes. Mendoj që është zgjedhur varianti i dytë duke besuar shprehet e famshme në gjuhën shqipe që gjithçka harrohet brenda pak ditësh.
U shpresua se do të ndodhte e njëjta gjë si me protestat e kaluara. Por, kjo shpërfillje dhe fushata denigruese dhanë efekt krejt negativ. Qytetarët nuk ishin të gatshëm për të hequr dorë nga liritë e tyre politike për shkak të presionit, por e përballuan presionin. Fakti që pati një reagim masiv të brezit të ri, do të thotë po rritet një brez që e refuzon injorimin dhe denigrimin.
Ky është lajm, përsëri mendoj pozitiv. Ndërkohë që në aspektin shtetëror, i vetmi progres që ne kemi në Shqipëri janë negociatat teknike me Bashkimin Europian, që është më shumë çështje ligjore sesa çështje standardi.
Por në konceptin e mirëqeverisjes së vendit ne kemi bërë hapa pas dhe raporti i fundit i World Rule of Law tregoi se ka rënie drastike të shtetit të së drejtës, cilësisë së demokracisë dhe cilësisë së shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe kjo është deri diku një përgjigje, një lloj rënie e cilësisë qeverisëse në Shqipëri edhe gjatë kohës së protestave.
A mund të konsiderohet politikisht i qëndrueshëm një vend ku qeveria kontrollon institucionet dhe ka shumicën parlamentare, por përballet me protesta të vazhdueshme dhe polarizim politik?
Mendoj se po, i bën mirë demokracisë kur ka protesta, sepse kur opozita është e dobët, mazhoranca nuk ka një mekanizëm që e kontrollon dhe protestat e zëvendësojnë atë që opozita nuk e bën. Ajo çfarë do t’i bënte më mirë Shqipërisë në këtë moment është të kalojë testin e institucioneve të pavarura.
Ne pamë për shembull që prokuroria dhe gjykata liruan protestuesit, të cilët u penalizuan politikisht nga kryeministri në mënyrë apriori, pa pasur asnjë vendim gjykate. Kjo do të thotë që ka disa institucione të pavarura dhe kjo i bën mirë dhe e krijon qëndrueshmëri për vendin.
Siç edhe ka institucione të tjera, të cilat e humbin atë që quhet koncepti i pavarësisë dhe nuk luajnë rol publik pozitiv, siç ishin për shembull rektoratet, senatet akademike, institucionet e pavarura që komisionerët që mbulojnë liritë dhe të drejtat e njeriut, përfshirë Avokati i Popullit, Komisionerin antidiskriminim, apo Ministria e Arsimit, të cilët dështuan dhe u bënë palë ose heshtën duke pranuar, akte të dhunës policore ndaj brezit të ri.
Çfarë roli luan opozita në zhvillimin e kësaj krize? A po arrin ajo ta përkthejë pakënaqësinë publike në një alternativë politike, apo mungesa e besimit prek më gjerësisht klasën politike?
Mendoj se është mosbesim jo ndaj klasës politike, por ndaj klasës së vjetër politike. Dhe e vjetër nuk do të thotë me moshë, por do të thotë me mentalitet.
Mendoj se dy anët e Lanës, domethënë Partia Socialiste dhe Partia Demokratike në thelb kanë të njëjtën kulturë dhe filozofi drejtimi dhe politike, jo demokratike nga brenda, jo moderatore, jo institucione ku funksionon politika, ku funksionon demokracia, ku funksionon mendimi i lirë, organizimi i lirë dhe qasja konstruktive, por më shumë parti individuale, parti klienteliste, parti familjare.
Për më tepër liderët e tyre i përdorin sipas nevojave ditore, duke mos respektuar asnjë nga parimet kryesore me të cilat funksionon një parti politike.
Kjo pastaj kthehet në një lloj kosto për gjithë sistemin politik, ndërkohë që partitë e reja, megjithëse kanë qenë të suksesshme në aspektin afatshkurtër, vihen në pikëpyetje nëse do të kenë sukses afatgjatë, për shkak se në disa elemente që lidhen sidomos me mënyrën se administrojnë debatin e brendshëm apo se si artikulohen publik, duket sikur imitojnë të vjetrit, që ata vetë i kritikojnë.
Shqipëria është ndoshta i vetmi vend në rajon që i mungon një linjë moderatore, qytetare, e kulturuar, elitare, që arrin të kapërcejë temat e momentit dhe të ofrojë zgjidhje afatgjata për vendin. Çdo vend e ka dhe Shqipëria duhet ta kishte sidomos me një numër të madh emigrantësh dhe një gjeneratë të re ekspertësh që kanë ardhur të edukuar, të formuar dhe të testuar profesionalisht që vijnë sidomos nga bota e diasporës.
Kryeministri ka lidhur zhvillimet e protestave me perspektivën europiane të vendit. Sa i qëndrueshëm është ky argument dhe si e vlerësoni qëndrimin e Bashkimit Europian ndaj krizave të brendshme politike në Shqipëri?
Në lidhje me perspektivën europiane të vendit, do të ishte gabim historik dhe strategjik nëse supozohet që shpresa e vetme e këtij vendi është një person dhe aq më tepër një kryeministër.
Fakti që zoti Rama përballet me kriza të vazhdueshme të mosbesimit për shkak të skandaleve të shumta që dalin, do të thotë se ai nuk është garancia për të zgjedhur ministrat, për të pasur një standard etik dhe integriteti për zgjedhjen e bashkëpunëtorëve të tij.
Dhe si mund të jetë kjo garancia për Shqipërinë? Kështu që nuk mendoj që te teza që një ndryshim politik mund të dëmtojë procesin e integrimit europian, përkundrazi, jep shpresë, energji.
Le të kujtojmë sesa herë që ka pasur rotacione politike në Shqipëri, sidomos rotacione antikorrupsion, produktet e reformave kanë qenë të dukshme për qytetarët, demokracia është bërë më funksionale, njerëzit kanë besuar dhe kanë pasur shpresë, biznesi ka pasur sukses, mbështetja për shtetin e drejtës ka qenë më e madhe, Shqipëria ka pasur më shumë sukses në rang ndërkombëtar.
Sa më gjatë që palët kanë vegjetuar në pushtet, aq më shumë është konsumuar individi, qeveria, politika, Parlamenti, aftësia e tyre reformatore dhe deri diku ka kaluar nga qasja reformatore e mandateve të para te konsumimi i pushtetit në mandatet pasuese.
Në lidhje me gjeopolitikën, duhet thënë që suksesi kryesor i Shqipërisë dhe fati i saj historik është gjeopolitika. Gjatë dy viteve të fundit ka qëlluar që jam konsultuar me diplomatë perëndimorë që merren me Shqipërinë dhe shumica e tyre thonë të njëjtën gjë. Anëtarësimi është një vendim gjeopolitik për Shqipërinë e Malin e Zi, dhe kjo është një gjë pozitive në dobi të vendit tonë.
Ne duhet ta shfrytëzojmë që Shqipëria të kalojë testin, jo testin e reformave, por testin gjeopolitik, për të pasur një mundësi anëtarësimi në Bashkimin Europian, në mënyrë që të shpresojmë pastaj që më vonë ta kthejmë në aset publik pozitiv për vendin.
Por nga ana tjetër, kjo nuk na mban peng të nevojës për të folur, për të reaguar, për të mbrojtur atë që quhet liri, parimet e demokracisë, të shtetit të së drejtës.
Një brez i heshtur, një shoqëri e heshtur është e padobishme, as për demokracinë, as për Europën dhe as për të ardhmen e vendit. Një shoqëri që lëviz, është e gjallë, që ngre zërin, që nuk bën kompromis për të drejtat e veta kushtetuese, është ajo që i duhet vendit.
Nga pikëpamja e shkencave politike, a mundet një qeveri ta menaxhojë me sukses një krizë në aspektin e ruajtjes së pushtetit, por njëkohësisht të dalë prej saj me besueshmëri dhe legjitimitet politik të dobësuar?
Mendoj që zoti Rama e humbi momentin në qershor për të kaluar një mocion mosbesimi dhe për veten dhe kalimin e zgjedhjeve të parakohshme që gjithmonë i jepte atij një legjitimitet të ri dhe besueshmëri publike. Ai mund të ndryshonte diçka, mund të fitonte zgjedhjet dhe mund të realizonte disa nga kërkesat e studentëve.
Fakti që ai zgjodhi konsumimin e pushtetit dhe përdorimin e mjeteve të pushtetit për të parandaluar protestat është një zhvillim negativ për Shqipërinë.
Gjithçka çfarë ai po bën kohët e fundit është tregues tipik që është një nga modelet tashmë jo pozitive të tranzicionit, sepse ra aurora e një lideri modern, bashkëkohor, europian, reformator, që mund të ndryshonte këtë vend, kur ai u ndodh në një pikë krize.
Ditën e parë që ai u ndodh në krizë, fjalori i tij, sjellja e tij propozimet e tij, konceptet e tij për demokracinë ishin demode, ishin të një periudhe që shqiptarët duhet ta kishin lënë pas, në mos në vitin 91, në vitin 97 apo në 2011 në janar.
Cilët janë skenarët më të mundshëm për zhvillimin e situatës dhe çfarë do të përcaktojë nëse kriza do të shkojë drejt normalizimit apo një përshkallëzimi të mëtejshëm?
Mendoj se skenari më i dukshëm në rastin tonë është që kriza të zgjatë. Qeveria nuk do të dorëhiqet, kryeministri e ka të pamundur për të reformuar diçka, numri i njerëzve që e refuzojnë për t’u bashkuar me të është jashtëzakonisht i lartë. Unë di që ka edhe individë që refuzojnë poste ministrore, zëvendësuese ose zëvendësministra apo drejtorë të ndryshëm.
Fakti që zoti Rama ka vendosur të shkaktojë gjithë administratorët lokalë me një urdhër dhe të imponojë reformën territoriale, do të thotë se qeverisja territoriale do të jetë shtojcë e qeverisë qendrore.
Ai do të vazhdojë me konceptin e tij të investimeve strategjike për klientët dhe për ata që ai i konsideron bashkëpunëtorët e tij të afërt dhe investitorët kryesorë, duke tentuar që përmes tyre të kontrollojë edhe mediat, diskursin publik, institucionet dhe zërat kritikë.
Ndërkohë që do të forcojë atë që quhet natyra represive e shtetit ndaj gjithë burimeve të mundshme që i dolën jashtë kontrollit në protestën e qershorit dhe deri tani.
Zgjidhja në këtë rast nuk mendoj që do jetë, sa veta dalin në protestë, sepse ndonjëherë mund të dalin pak, ndonjëherë shumë, dhe e di që protestat do vazhdojnë në forma të ndryshme.
Zgjidhja do jetë sa SPAK-u do t’i përgjigjet sfidave të reja të Shqipërisë. Për shembull, do duhet t’i jepte zgjidhje dosjes së vërtetë të Zvërnecit, do duhet t’u jepte zgjidhje hetimeve për “Albanian Files” dhe akuzave për keqpërdorim të pushtetit, do të duhet t’u jepte zgjidhje hetimeve ndaj ish-presidentëve Berisha dhe Meta dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, dhe po ashtu do të duhet të kalonte në Parlament kërkesën për imunitetin e zonjës Balluku
Është e habitshme që SPAK lëviz kaq ngadalë, në momentin kur Shqipëria po lëviz shumë shpejt. Kështu që edhe institucioni më pozitiv që ne kemi, nëse jep shembull të tillë, është një zhvillim negativ për vendin. Ai nuk duhet të ndjekë axhenda as gjeopolitike, por duhet të ofrojë drejtësi të besueshme.
Sfida më e madhe e Shqipërisë aktuale është të kthehet besimi që ky vend mund të bëhet dhe që të ndodhë kjo duhet çliruar nga individë që nuk po e lejojnë që Shqipëria të jetë e gjithë qytetarëve shqiptarë, të jetë e shtetit të drejtës dhe demokracisë funksionale. Kjo nuk lidhet vetëm me z. Rama, por me çdo individ që ka të njëjtin mentalitet dhe që ka një pozitë, ose shtetërore, ose kushtetuese, ose të pavarur, apo edhe në parti të ndryshme politike.
Kështu që mendoj që shpresat e z. Rama që në zgjedhjet vendore të dominojë nuk janë të qëndrueshme. Zgjedhjet vendore nuk janë test i rëndësishëm që barazojnë besimin publik. Mund të fitosh një bashki, por mund të humbësh një tjetër, apo mund të fitosh me një numër të caktuar votash, por një pjesë e qytetarëve gjithmonë do të kontestojnë. Dhe çfarë do të thotë?
Mandati nuk është për të sunduar të gjitha pjesët, por është për të respektuar kontratën, sidomos edhe ata që votojnë kundër teje. Z. Rama e ka humbur hapësirën për të përmirësuar veten, kështu që në mënyrë automatike, kriza do të jetë e vazhdueshme.
Zgjidhja finale e saj, në të gjitha variantet të çon drejt një rishikimi të sistemit politik, rishikimi të sistemit përfaqësues, rishikim të masave antikorrupsion dhe rishikim të qasjes ndaj liderëve të vjetër politikë dhe rotacionit në kulturë, në brezin e ri, në brezin e politikanëve të rinj që duhet të vijnë në Shqipëri.
LEXONI EDHE:
Kriza politike, nga auditorët në rrugë, revolta që po vë në provë qeverinë
Ermal Hasimja: Qeveria po përpiqet të fitojë kohë, por protestat do të rikthehen
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









