Piranjat/ Albana Deda: Studentët kanë të drejtë! Mjaft më! Dorëhiqu!

22:09, 23/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Albana Deda

Mirëmbrëma! Unë jam Albana Deda dhe jam pedagoge në Universitetin e Tiranës prej gati 30 vitesh.Gjatë këtyre viteve kam pasur fatin të bashkëpunoj me më shumë se 15 mijë studentë, që vinin nga të gjitha anët e Shqipërisë. Ata kanë qenë për mua dhe kolegët e mi burim vitaliteti njerëzor dhe profesional.

Në sytë e tyre kemi parë aspiratën e brezave të tërë me dëshira të shumta për një jetë të bukur, për një jetë të re që do t’u buzëqeshte në lulëzimin moshor të tyre.

Po me çfarë u përballën gjithë këto vite?

Me një arsim që lë për të dëshiruar, ku mungon vizioni,me nepotizëm të theksuar që e bën të pamundur konkurrimin që mbështetet në kompetencë për gjetjen e një pune,me korrupsion galopant që shton tarifën e shpenzimeve të secilit prej tyre, me qira të papërballueshme dhe me çmime ushqimesh që janë ndër më të lartat në Europë.

Dhe përballë kanë vetëm modele politike aspak llogaridhënëse e pa empati. Unë kam qenë aty kur, në protestat e vitit 2018, studentët dolën me kërkesa të qarta që lidheshin me ndryshime cilësore në arsimin e lartë.

Po me çfarë u ndeshën?

Me nihilizmin e një mali që s’bëzan, por bëhet i gjallë vetëm për të bullizuar me një diskurs metaforik mjaft të errët.E ata ikën rrugëve të botës, me shpirtin e përmalluar e me kokën pas nga prindërit, nga shtëpia, nga atdheu. Ndryshuan stinët, kaluan vitet, po mali ynë metaforik nuk e mori as mundimin t’i dëgjonte brezat që vinin e iknin, por vetëm shpaloste flamujt e demagogjisë, duke deduktuar se çudia më e madhe tre ditë zgjat dhe se ky popull e kjo rini nuk kanë memorie historike.

Ndaj sot e kemi sërish këtë rini prapë në rrugë.

E ajo na buzëqesh, na emocionon, na e çon shpirtin peshë.

Ata janë aty, duke na thënë se shpresa e morali janë ende këtu dhe nuk kanë ikur në mërgim.

Prandaj ne jemi bashkë me ta.

Bashkë me kërkesat e tyre legjitime.

Duke thënë njëzëri: Mjaft më! Dorëhiqu!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco