Gjykata e Apelit në Amiens të Francës ka rrëzuar kërkesën për lirimin e biznesmenit shqiptar Ermal Beqiri, i cili do të vijojë të qëndrojë në paraburgim, ndërsa autoritetet shqiptare kërkojnë ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Beqiri dyshohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar se është përfshirë në një rrjet që përfitonte tendera publikë në sektorin e teknologjisë së informacionit, përmes manipulimit të konkurrencës dhe intimidimit. Sipas të dhënave të publikuara nga mediat franceze, hetimet në Shqipëri përfshijnë 19 procedura prokurimi me një vlerë të përllogaritur prej rreth 59 milionë eurosh.
Gjatë seancës së zhvilluar të premten, më 23 tetor, biznesmeni kundërshtoi ekstradimin drejt Shqipërisë. Në mbrojtjen e tij, ai bëri një deklaratë të fortë, duke pretenduar se përgjegjësia për korrupsionin qëndron te shteti shqiptar.
“Nëse kam korruptuar dikë, është shteti. Por nga kjo anë, askush nuk është në burg. Gjithsesi, këtu ka një problem”, citohet të ketë deklaruar Beqiri nga media franceze Courrier Picard.
Mbrojtja e biznesmenit ka kundërshtuar dokumentacionin e paraqitur nga autoritetet shqiptare në mbështetje të kërkesës për ekstradim. Avokati i tij, Nicolas Paganelli, i ka cilësuar dokumentet si të paplota dhe ka pretenduar se ato nuk ofrojnë garanci të mjaftueshme, duke ngritur edhe pretendime për një sfond politik të çështjes.
Ndërkohë, autoritetet shqiptare kanë dërguar në Francë dokumente shtesë, mes tyre shkresa nga ministri i Drejtësisë, drejtuesi i SPAK dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i prokurorisë franceze ka mbështetur realizimin e ekstradimit, duke argumentuar se vlerësimi i sistemit gjyqësor shqiptar nuk është në kompetencën e Dhomës së Hetimeve.
Pavarësisht rrëzimit të kërkesës për lirim, procedura e ekstradimit vijon. Vendimi për mbajtjen në paraburgim nuk përbën një përcaktim përfundimtar mbi fajësinë e Beqirit, i cili prezumohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë.












