Një ngjarje e pazakontë që ka shkaktuar mjaft habi dhe debat ka ndodhur në qendër të Milanos, ku një grup të rinjsh shqiptarë janë mbledhur në shesh për të protestuar hapur kundër emigrantëve të rinj, të njohur në Itali si "maranza".
Ajo që ka bërë përshtypje të madhe është faktori paradoksal: si ka mundësi që vetë shqiptarët, të cilët kanë një histori të gjatë emigrimi dhe integrimi në shtetin fqinj prej dekadash, sot marrin nismën për të dalë në protestë kundër një grupi tjetër emigrantësh?
Në pamjet e publikuara nga vendngjarja, të rinjtë shqiptarë shihen duke valëvitur me krenari flamurin kuqezi dhe duke bërë thirrje të fortë në italisht si “L'Italia è casa nostra, comandiamo tutto qua” (Italia është shtëpia jonë, ne komandojmë gjithçka këtu).
Termi “maranza” përdoret gjerësisht në zhargonin urban italian për të përshkruar grupe të rinjsh (kryesisht brezi i dytë i emigrantëve nga Afrika e Veriut) që lëvizin nëpër sheshe e stacione treni. Ata dallohen nga veshjet sportive me çanta kraharori, muzika e zëshme drill/trap dhe shpesh lidhen me sjellje provokuese apo zënka rruge që krijojnë shqetësim për rendin publik.
Kjo përplasje dhe qëndrim i papritur i këtyre shqiptarëve ndaj këtij fenomeni në qytetet italiane ka bërë xhiron e rrjeteve sociale, duke nxitur reagime të shumta mbi dinamikat e reja të emigracionit në Itali.